Operacioni “Eko-Toxic”: 20 masa sigurie të ekzekutuara, vijon kërkimi për 13 persona të tjerë

Detaje të reja janë bërë të ditura nga operacioni policor për çështjen e mbetjeve të rrezikshme të Kurum, ku deri më tani janë ekzekutuar 20 nga 33 masat e sigurisë të dhëna nga Prokuroria e Durrësit. Policia vijon punën për kapjen e 13 shtetasve të tjerë, të cilët nuk janë gjetur në banesat e tyre gjatë zhvillimit të operacionit.

Për 20 personat e ndaluar janë ekzekutuar masa sigurie për vepra penale që lidhen me kontrabandën, menaxhimin e paligjshëm të mbetjeve, falsifikimin e dokumenteve dhe pastrimin e produkteve të veprimtarisë kriminale.

Në kuadër të operacionit të koduar “Eko-Toxic”, Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, në bashkëpunim me Drejtoritë Vendore të Policisë Tiranë dhe Elbasan, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, ka ndaluar disa shtetas, ndaj të cilëve janë vendosur masa sigurie “Arrest në burg” dhe “Arrest në shtëpi”, për vepra penale që përfshijnë ndotjen e ajrit përmes çlirimit të lëndëve toksike, kontrabandën doganore, kontrabandën me mallra të ndaluara ose të kufizuara, shpërdorimin e detyrës, falsifikimin e dokumenteve dhe pastrimin e produkteve të veprës penale.

Ndërkohë, vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e 13 shtetasve të tjerë, disa prej të cilëve rezultojnë banues jashtë Shqipërisë, të dyshuar për përfshirje në veprimtari kriminale në fushën e menaxhimit dhe kontrabandimit të mbetjeve.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për vijimin e veprimeve të mëtejshme ligjore.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033