Një operacion antidrogë i zhvilluar nga Policia e Shtetit në Tiranë ka çuar në arrestimin e tre personave të dyshuar për furnizimin me kokainë të grupeve kriminale, si dhe në sekuestrimin e një sasie të konsiderueshme lënde narkotike dhe parash.
Operacioni, i koduar “Cargo 2”, u finalizua me ndalimin e një automjeti tip “Escalade” pranë rrethrrotullimit të TEG-ut. Në mjet ndodheshin drejtuesi Alban Kopaçi, 32 vjeç, si dhe pasagjerët Elvi Meta, 26 vjeç, dhe Igli Canaj, 32 vjeç. Gjatë kontrollit, Policia gjeti dhe sekuestroi rreth 1 kilogram e 37 gram kokainë.
Hetimet vijuan me kontrollin e banesës së drejtuesit të automjetit, ku u sekuestruan 121 mijë euro, 6 milionë lekë dhe 5 mijë paund, të dyshuara si përfitime nga veprimtaria kriminale.
Në kuadër të operacionit janë sekuestruar gjithashtu automjeti i përdorur, një pistoletë, një armë gjahu, municion dhe pesë telefona celularë.
Policia bën me dije se materialet i janë referuar Prokurorisë, ndërsa hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale dhe lidhjeve të mundshme të të arrestuarve.