Zyrtarë të Shteteve të Bashkuara kanë bërë të ditur se presidenti i Venezuelës, Nicolás Maduro, dyshohet se është arrestuar gjatë një operacioni ushtarak të zhvilluar në orët e para të së shtunës në Venezuelë.
Sipas deklarimeve nga autoritetet amerikane, arrestimi i presidentit venezuelian dyshohet se është kryer nga një njësi speciale elitare e ushtrisë amerikane, e angazhuar në operacione të veçanta me rrezik të lartë.
Ndërkohë, ministri i Mbrojtjes i Venezuelës, Vladimir Padrino López, ka njoftuar mobilizimin e përgjithshëm të forcave ushtarake në të gjithë territorin e vendit, pas sulmeve amerikane ndaj disa objektivave strategjikë.
Në një deklaratë publike, ai bëri thirrje për rezistencë të përbashkët kundër asaj që e cilësoi si “agresioni më i keq” ndaj Venezuelës, duke theksuar se forcat e armatosura do të veprojnë në përputhje me “urdhrat e presidentit Maduro”. Në deklarim nuk u përmend arrestimi i supozuar i presidentit.
“Na kanë sulmuar, por nuk do të na mundin,” deklaroi ministri i Mbrojtjes, duke kërkuar qetësi, unitet dhe duke paralajmëruar kundër panikut dhe destabilizimit të brendshëm.
Sipas të dhënave të bëra publike, Shtetet e Bashkuara ndërmorën sulme ndaj disa lokacioneve në Venezuelë, përfshirë baza ushtarake. Shpërthime të forta u dëgjuan rreth orës 02:00 të mëngjesit, sipas orës lokale, në Caracas dhe në shtetet Miranda, Aragua dhe La Guaira.
Operacioni ushtarak u autorizua nga presidenti amerikan Donald Trump, i cili javët e fundit kishte paralajmëruar mundësinë e sulmeve tokësore kundër Venezuelës dhe kishte deklaruar se pozicioni i presidentit Nicolás Maduro ishte i rrezikuar, pas vendosjes së forcave detare amerikane në Karaibe.
Në një reagim zyrtar, Trump deklaroi se Shtetet e Bashkuara kanë realizuar me sukses një operacion të gjerë ushtarak ndaj Venezuelës dhe udhëheqjes së saj, duke pretenduar se presidenti Nicolás Maduro dhe bashkëshortja e tij janë kapur dhe janë nxjerrë jashtë territorit të vendit.