Operacioni “Aksi” në Lezhë, arrestohet 23 vjeçari që qarkullonte i armatosur, në shtëpi i gjendet lëndë narkotike

Policia e Lezhës ka vënë në pranga një 23 vjeçar që lëvizte i armatosur, pas një operacioni të koduar “Aksi”, të zhvilluar në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”.

Sipas njoftimit zyrtar, shërbimet e Sektorit të Policisë Rrugore në DVP Lezhë kishin marrë informacion se një i ri qarkullonte me armë zjarri në automjetin e tij tip BMW në aksin “Lezhë–Shkodër”.

Gjatë kontrollit të ushtruar në fshatin Mabë, policia ndaloi automjetin dhe, pas verifikimeve fizike të drejtuesit dhe çantës që mbante me vete, gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri pistoletë, me krehër dhe municion luftarak.

Në vijim të veprimeve procedurale, në bashkëpunim me Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër, u ushtrua kontroll edhe në banesën e të riut në lagjen “Salo Halili”, ku u gjet dhe u sekuestrua një sasi e vogël lënde narkotike e dyshuar kanabis.

Në përfundim të hetimeve paraprake, policia arrestoi në flagrancë shtetasin Xh. C., 23 vjeç, banues në Shkodër, i cili akuzohet për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë për veprime të mëtejshme ligjore.

Ndaj Postimin: