Operacionet amerikane dhe dilema e goditjeve në Venezuelë

Donald Trump po shqyrton ndërhyrje ushtarake në Venezuelë për të goditur rrugët e trafikut të kokainës, ndërsa zyrtarë të administratës paralajmërojnë rritje të forcave amerikane në Karaibe.

Presidenti Donald Trump po konsideron një plan për të goditur qendrat e trafikut të drogës dhe rrugët e kontrabandës brenda territorit të Venezuelës. Tre zyrtarë amerikanë i thanë CNN se ende nuk është marrë një vendim përfundimtar, por përgatitjet janë në zhvillim.

Në Uashington, sinjalet tregojnë për një përshkallëzim të mundshëm ushtarak. Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka urdhëruar grupin më të avancuar aeronaval të Marinës amerikane që ndodhet në Evropë të zhvendoset drejt Karaibeve, duke shtuar praninë ushtarake në rajon. Paralelisht, CIA është autorizuar të nisë operacione të fshehta brenda Venezuelës.

Megjithëse administrata ka ndërprerë kontaktet me presidentin Nicolas Maduro, Trump nuk e ka përjashtuar mundësinë e një zgjidhjeje diplomatike për të frenuar rrjedhën e drogës drejt SHBA-së. Venezuela nuk prodhon kokainë, por Uashingtoni po përpiqet ta lidhë regjimin e Maduros me kartelët e trafikut.

Një zyrtar i administratës deklaroi se “planifikimet janë në tavolinë dhe presidenti po i shqyrton ato”, duke shtuar se “diplomacia ende nuk është përjashtuar”. Një tjetër zyrtar, që ka marrë pjesë në diskutime, theksoi se janë propozuar disa skenarë për veprim.

Në nivelet më të larta të administratës, fokusi kryesor është tani mbi objektivat që lidhen me trafikun e drogës brenda Venezuelës. Trump ka ashpërsuar retorikën për ndërhyrje tokësore, ndërsa ushtria amerikane po kryen sulme ndaj anijeve të dyshuara për kontrabandë në ujërat ndërkombëtare.

Sipas Hegseth, një goditje e fundit në Karaibe ka vrarë gjashtë persona, duke e çuar numrin e përgjithshëm të anijeve të shënjestruara në dhjetë dhe të vrarëve në 43 që nga fillimi i fushatës muajin e kaluar.

Burime të CNN pohojnë se Trump po shqyrton edhe sulme brenda Venezuelës si pjesë e një strategjie për të dobësuar Maduros, ndërsa Sekretari i Shtetit Marco Rubio ka sugjeruar se mund të goditen rrugët tokësore të trafikut.

Disa zyrtarë e shohin këtë si mundësi për ndryshim regjimi, duke besuar se presioni ndaj bashkëpunëtorëve të Maduros që përfitojnë nga fitimet e kartelëve mund të çojë në rrëzimin e tij. Në një video të re, Maduro i është drejtuar publikut ndërkombëtar duke kërkuar paqe.

Të dhënat e OKB-së tregojnë se Venezuela nuk është prodhues i kokainës. Shumica e kulturave të kokës janë përqendruar në Kolumbi, Peru dhe Bolivi, ndërsa raporti i fundit i DEA-s nuk e përfshin Venezuelën si rrugë kryesore të trafikut.

Megjithatë, Uashingtoni kujton se Maduro është akuzuar në vitin 2020 për “narko-terrorizëm” dhe “konspiracion për import droge” në SHBA. Rubio ka theksuar se “Maduro është një trafikant i akuzuar dhe një i arratisur nga drejtësia amerikane”.

Trump nuk ka ndërmend të marrë vendime të nxituara, pasi vëmendja e tij është përqendruar në udhëtimin drejt Azisë dhe negociatat me Rusinë e Ukrainën. Edhe pse i hapur ndaj diplomacisë, ai ka anuluar përpjekjet e ndërmjetësuara nga Richard Grenell për dialog me Caracas.

Sipas zyrtarëve amerikanë, çdo operacion ushtarak në territorin venezuelas do të kërkonte miratim ose të paktën informim të Kongresit. Por Trump ka deklaruar se mund të vijojë goditjet ndaj trafikantëve jashtë vendit edhe pa shpallje zyrtare lufte. “Ne do t’i vrasim ata që sjellin drogë në Amerikë. Ata do të jenë thjesht… të vdekur,” tha ai për CNN.

Rritja e pranisë ushtarake në Karaibe ka ngritur pikëpyetje mbi qëllimet e Shtëpisë së Bardhë. Pentagoni njoftoi se grupi aeronaval “Gerald R. Ford” do të veprojë për të “çmontuar organizatat kriminale transnacionale dhe për të luftuar narko-terrorizmin”.

Grupi “Ford”, që ndodhej në Split të Kroacisë, do t’i duhen disa ditë për të arritur në Karaibe. Ndërkohë, Marina amerikane ka zhvendosur një pjesë të madhe të flotës drejt Komandës Jugore të SHBA-së, që mbulon Amerikën Latine.

Në kuadër të këtij operacioni, SHBA ka vendosur 10 avionë luftarakë F-35 dhe disa dronë MQ-9 në Puerto Riko, duke e kthyer ishullin në një qendër strategjike të re. Po ashtu, baza ushtarake Roosevelt Roads është rihapur pas mbylljes së saj në vitin 2004, si pjesë e përgatitjeve për një ndërhyrje të mundshme në Venezuelë.

Ndaj Postimin: