Operacion masiv antidrogë në Elbasan, dhjetëra të arrestuar

Policia e Elbasanit goditi një rrjet të madh shpërndarjeje droge, duke arrestuar 30 persona, shpallur në kërkim 14 të tjerë dhe sekuestruar armë e lëndë narkotike.

Policia e Elbasanit ka finalizuar një operacion të përmasave të mëdha, i koduar “First Day”, i cili çmontoi një rrjet të organizuar të shpërndarjes dhe tregtimit të lëndëve narkotike në disa qytete të qarkut. Ky aksion u zhvillua pas disa muajsh hetime me metoda speciale, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan.

Në total, janë ekzekutuar 25 masa sigurie “arrest në burg” për persona të dyshuar për prodhim dhe shitje të narkotikëve. Po ashtu, gjatë operacionit u arrestuan në flagrancë edhe pesë shtetas të tjerë, ndërsa një tjetër u procedua penalisht.

Gjatë kontrolleve, forcat e rendit sekuestruan sasi kokaine dhe kanabisi, armë zjarri të tipit pistoletë dhe kallashnikov, armë gjahu, një sasi të konsiderueshme municioni luftarak, peshore elektronike, thika, pajisje për goditje, steka duhani të dyshuara si të kontrabanduara, laptopë, tabletë, DVR, targa automjetesh shqiptare e belge, si dhe shuma parash në euro, paund, dollarë e franga zvicerane.

Hetimet zbuluan se të dyshuarit vepronin të ndarë në grupe të vogla ose individualisht, duke shpërndarë drogë në zona të ndryshme të qarkut, shpesh pranë shkollave, lokaleve dhe vendeve të tjera të frekuentuara nga të rinjtë. Aktiviteti i tyre ishte shtrirë në Elbasan, Librazhd, Gramsh, Cërrik, Peqin, Belsh dhe Prrenjas.

Lista e të arrestuarve përfshin persona nga të gjitha këto qytete, me moshë nga 24 deri në 64 vjeç. Për disa prej tyre, përveç akuzës për prodhim dhe shitje të narkotikëve, rëndojnë edhe veprat penale të mbajtjes pa leje të armëve dhe kontrabandës së mallrave.

Policia arrestoi në flagrancë edhe pesë persona të tjerë, mes tyre një 31-vjeçar i dyshuar për drogë, armë dhe mallra kontrabandë, si dhe një 36-vjeçar për mbajtje të armëve të gjuetisë. Në të njëjtën kohë, nisi procedimi penal për një tjetër shtetas të moshës 57 vjeç.

Operacioni nuk ka përfunduar, pasi 14 persona të tjerë janë shpallur në kërkim. Policia dhe Prokuroria kanë paralajmëruar se hetimet do të vazhdojnë për të identifikuar çdo individ tjetër të përfshirë në këtë aktivitet kriminal, ndërsa materialet hetimore tashmë i janë dorëzuar organit të akuzës për veprime të mëtejshme.

Ndaj Postimin: