Janë bërë publike detaje të reja mbi operacionin ushtarak amerikan që përfundoi me arrestimin e presidentit venezuelian Nicolás Maduro, duke zbuluar përmasat dhe koordinimin e ndërhyrjes së zhvilluar në orët e natës.
Sipas informacionit zyrtar të paraqitur në konferencën për shtyp të presidentit amerikan Donald Trump, operacioni nisi në orën 22:46, sipas Kohës Lindore, pas urdhrit të drejtpërdrejtë të kreut të Shtëpisë së Bardhë.
Në aksion u përfshinë më shumë se 150 avionë ushtarakë, të ngritur nga 20 baza të ndryshme, të cilët morën pjesë si në goditje të drejtpërdrejta rreth Karakasit, ashtu edhe në misione të gjera mbikëqyrjeje ajrore.
Autoritetet ushtarake amerikane konfirmuan se operacioni përfshiu pjesëtarë të moshave të ndryshme, me ushtarin më të ri vetëm 20 vjeç dhe më të moshuarin 49 vjeç. Para nisjes së misionit, presidenti Trump iu drejtua forcave me mesazhin: “Fat të mbarë dhe Zoti ju ndihmoftë”.
Sipas të dhënave zyrtare, rreth orës 01:00 të mëngjesit forcat amerikane mbërritën në kompleksin ku ndodhej Nicolás Maduro, i cili në atë moment po përpiqej të hynte në një dhomë të sigurt, kur u arrestua.
Autoritetet amerikane bëjnë me dije se Maduro ndodhet aktualisht në një anije të Marinës së SHBA-së, në rrugë drejt Nju Jorkut, ku pritet të përballet me akuza për trafik droge dhe vepra të tjera penale në Distriktin Jugor të Nju Jorkut.