Operacion kundër trafikut të armëve në Kukës, arrestohen dy shtetas nga Prizreni me 8 pistoleta të sekuestruara

Dy persona nga Prizreni ranë në pranga në Kukës, pasi u kapën duke trafikuar armë zjarri nga Kosova drejt Shqipërisë, me qëllim shitjen e tyre në mënyrë të paligjshme.

Një operacion i koduar “Kalibri” ka zbuluar dhe goditur një rast të trafikut të armëve të zjarrit, në pikën kufitare të “Urës së Hasit”, në veri të vendit. Në pranga kanë rënë dy shtetas nga Prizreni, ndërsa autoritetet sekuestruan 8 pistoleta që mendohet se do të shiteshin ilegalisht brenda territorit shqiptar.

Operacioni u zhvillua nga Drejtoria Vendore e Policisë Kukës, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës. Aksioni u bazua në të dhëna operative dhe u ndërmor për të goditur një rrjet që trafikonte armë nga Kosova në Shqipëri përmes kufirit të gjelbër.

Të arrestuarit janë identifikuar si Sh. Q., 31 vjeç dhe A. M., 46 vjeç, të dy banues në qytetin e Prizrenit. Sipas policisë, gjatë një kontrolli në automjetin e tyre u gjetën dhe sekuestruan 8 armë zjarri të tipit pistoletë, të cilat dyshohet se ishin destinuar për shitje në Shqipëri.

Të dy shtetasit u arrestuan në flagrancë në momentin kur po tentonin të kalonin armët, ndërkohë që dy persona të tjerë që pritet të ishin blerësit e armëve u larguan sapo konstatuan praninë e forcave të rendit. Për arsye hetimi, identiteti i tyre nuk është bërë publik.

Hetimet për zbardhjen e plotë të këtij rrjeti kriminal janë ende në vijim, ndërsa autoritetet po punojnë për identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari të paligjshme.

Materialet procedurale në ngarkim të të dyshuarve iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme, ndërsa policia e Kukësit ka deklaruar se do të intensifikojë kontrollet për të goditur çdo përpjekje për trafik të armëve përgjatë kufirit me Kosovën.

Ndaj Postimin: