Në bordin e Air Force One, Presidenti amerikan Donald Trump ofendon gazetaren e Bloomberg ndërsa ajo kërkon përgjigje për dosjen Epstein, duke ndezur reagime në mediat ndërkombëtare.
Gjatë një udhëtimi presidencial, gazetarët që e shoqëronin Donald Trump në Air Force One po i drejtonin Presidentit pyetje për çështje të ndryshme që lidhen me agjendën politike dhe zhvillimet e fundit në SHBA. Interes të veçantë ngjalli kërkesa këmbëngulëse e gazetares Catherine Lucey, e cila përfaqëson Bloomberg News.
Lucey kërkoi disa herë që Presidenti të jepte një koment të drejtpërdrejtë në lidhje me dosjen e shumëpërfolur Epstein, një temë që prej muajsh ka shkaktuar tension dhe debat të gjerë në skenën politike amerikane.
Në momentin kur gazetarja këmbënguli për sqarim, kamerat e celularëve të pranë gazetarëve që po regjistronin me audio-video kapën reagimin aspak diplomatik të Presidentit Trump. Ai iu kthye Lucey-t me fjalët: “Pusho, pusho derrkuce!”, një shprehje që menjëherë u përhap në rrjetet sociale dhe në kanalet mediatike.
Ky episod ka shtuar edhe më tej kritikat për mënyrën se si Presidenti i SHBA-ve komunikon me gazetarët, sidomos me ato gra, duke ngritur pikëpyetje për etikën dhe respektin në marrëdhëniet institucione–media.
Praktika e pyetjeve në bordin e Air Force One është një traditë e vjetër në Shtëpinë e Bardhë, ku reporterët e udhëtimit mund të adresojnë çështje të momentit drejtpërdrejt Presidentit. Episodi i fundit, gjithsesi, e ka zhvendosur vëmendjen nga temat politike te gjuha e përdorur nga Trump.
Incidenti është diskutuar gjerësisht edhe nga vetë gazetarët amerikanë, të cilët e cilësojnë reagimin si një tjetër përplasje të panevojshme mes Presidentit dhe medias. Organizatat e lirisë së shtypit e kanë cilësuar sjelljen si shembull të degradimit të komunikimit institucional.
Ndërkohë, gazetarja Catherine Lucey nuk ka komentuar për incidentin, ndërsa Bloomberg ka preferuar të mos bëjë deklarata të drejtpërdrejta. Megjithatë, mediat prestigjioze në SHBA dhe Evropë e kanë raportuar ngjarjen gjerësisht.
Përplasja vjen në një moment kur debati për dokumentet e Epstein është intensifikuar, pasi Kongresi amerikan ka miratuar projektligjin për publikimin e plotë të dosjeve, në pritje të firmës së Presidentit Trump.
Ekspertët e komunikimit politik theksojnë se raste të tilla dëmtojnë marrëdhëniet e Presidentit me median dhe krijojnë tensione të panevojshme në raport me publikun. Për më tepër, videoja e incidentit është shpërndarë me ritme të larta në internet, duke sjellë reagime të shumta.
Ngjarja pritet të vijojë të diskutohet pas publikimit të plotë të dosjeve Epstein, çështje që tashmë ka hyrë në qendër të vëmendjes globale dhe ku çdo deklaratë presidenciale ka peshë të madhe në opinionin publik.


