Ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, ka akuzuar administratën Trump për “fshehje” në mënyrën se si po trajtohen dosjet që lidhen me Jeffrey Epstein, i dënuar për krime seksuale dhe tashmë i ndjerë.
Gjatë një prononcimi për BBC-në në Berlin, ku mori pjesë në Forumin Botëror vjetor, Clinton deklaroi: “Nxirrni dosjet. Po i zvarrisni.”
Nga ana tjetër, Shtëpia e Bardhë ka këmbëngulur se publikimi i dosjeve përbën një hap të rëndësishëm, duke pretenduar se administrata ka bërë “më shumë për viktimat sesa kanë bërë ndonjëherë demokratët”.
E pyetur nëse Andrew Mountbatten-Windsor duhet të paraqitet para një komisioni të Kongresit, Hillary Clinton u shpreh: “Mendoj se të gjithë ata që u kërkohet të dëshmojnë duhet të dëshmojnë.”
Në lidhje me përfshirjen në dosje, theksohet se shfaqja e një emri nuk përbën tregues të shkeljes. Andrew gjithmonë ka mohuar çdo shkelje.
Familja Clinton do të paraqitet para një komiteti të Kongresit: Bill Clinton më 27 shkurt dhe Hillary Clinton një ditë më parë. Kjo do të jetë hera e parë që një ish-president amerikan dëshmon para një paneli të Kongresit që nga viti 1983, kur dëshmoi Gerald Ford.
Bill Clinton, i cili shfaqet në dosje, ka pranuar se ka njohur Epstein, por ka deklaruar se i ka ndërprerë kontaktet me të dy dekada më parë. As Bill Clinton dhe as Hillary Clinton nuk janë akuzuar për shkelje nga viktimat e abuzimit të Epstein, dhe të dy kanë mohuar se kanë pasur dijeni për abuzimet seksuale në atë kohë.
Miliona dosje të reja që lidhen me Epstein u bënë publike nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së në fillim të këtij muaji, pas miratimit nga Kongresi të një ligji që kërkon publikimin e materialeve të lidhura me hetimet për këtë çështje.