Në 3 tetor 2024, i gjithë grupi parlamentar demokrat bllokoi hyrjen e Parlamentit, si reagim ndaj arrestimit të deputetit Ervin Salianji dhe përjashtimit për 40 deri në 60 ditë të 24 ligjvënësve opozitarë. Seanca e asaj dite rrezikoi të dështonte, pasi në sallë ishin vetëm 69 deputetë socialistë, më pak se kuorumi minimal prej 71 votash.
Dy deputetë të dalë nga lista e opozitës, por që përfaqësonin PDIU-në, Nustret Avdullaj dhe Gëzim Ademaj, arritën të kalonin kordonin e demokratëve dhe hynë në sallë, duke siguruar kuorumin që i duhej mazhorancës.
Pavarësisht se në rend dite nuk kishte projektligje të rëndësishme, prania e tyre u konsiderua një demonstrim force nga socialistët, të cilët treguan se mund të vijonin seancën edhe në kushtet e bllokimit nga opozita.
Kryeministri Edi Rama duket se nuk e ka harruar këtë episod. Në zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025, emri i Nustret Avdullajt u vendos në listën e hapur të kandidatëve për qarkun Fier. Edhe pse ai nuk arriti të siguronte një mandat deputeti, sot ka marrë një leje ndërtimi me peshë, të firmosur nga vetë Rama.
Leja e ndërtimit
Më 16 korrik 2025, Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT), nën drejtimin e kryeministrit, shqyrtoi kërkesën për “Leje ndërtimi për objektin: Objekt banimi dhe shërbimi 5 dhe 8 kate mbi tokë, me 1 kat nëntokë”, në rrugën “Dino Kalenja”, Fier, me subjekt zhvillues shoqërinë “Nba Cotto” sh.p.k.
Kjo shoqëri është në pronësi të 24-vjeçarit Sulgen Avdulla, djalit të ish-deputetit Nustret Avdullaj. Në dokumentacion rezulton se kompania, e themeluar në vitin 2003, ka qenë fillimisht në ortakëri të vetë Nustret Avdullajt, i cili në vitin 2012 mori 100% të aksioneve. Ai e mbajti këtë pozicion deri në vitin 2022, kur, pasi u zgjodh deputet, ia dhuroi aksionet djalit të tij 21-vjeçar.
Nga poçaria te ndërtimet shumëkatëshe
Derisa merr lejen e ndërtimit, aktiviteti i kompanisë “Nba Cotto” ka qenë i fokusuar pothuajse ekskluzivisht në përpunimin e argjilës dhe poçarisë. Por, në nëntor 2024, pas angazhimit të Nustret Avdullajt në vendimmarrje politike, djali i tij shton në objektin e shoqërisë edhe: “Ndërtime civile, turistike, industriale, bujqësore – rikonstruksione dhe ndërtime banesash shumëkatëshe”.
Pak muaj më vonë, kompania aplikon për ndërtimin e një objekti 8-katësh në zemër të Fierit, kërkesë që miratohet nga KKT-ja e drejtuar nga Rama.
Kohët dhe ngjarjet përputhen në mënyrë që ngrejnë dyshime se kjo leje ndërtimi ka ardhur si “shpërblim politik” për rolin që Nustret Avdullaj luajti në seancën e 3 tetorit 2024, kur mazhorancës i duhej çdo votë për të krijuar kuorumin parlamentar.