“Nuk ishin protestues”, Braçe: Dhuna përpara Kuvendit ishte përpjekje për vrasje

Reagimi i deputetit socialist Erion Braçe pas dhunës së sotme në protestën e opozitës ka qenë ndër më të ashpërit në radhët e mazhorancës.

Duke iu referuar drejtpërdrejt ngjarjeve të ndodhura në oborrin e Kuvendit, Braçe deklaroi se ajo që ndodhi nuk mund të mbrohet më si protestë dhe nuk gëzon asnjë mbrojtje ligjore.

“Kjo nuk është më protestë e garantuar dhe e mbrojtur nga ligji. Këta nuk janë më protestues”, shkroi ai, duke shtuar se veprimet e sotme përbëjnë “përpjekje për të vrarë shërbyes të shtetit”.

Braçe e mbështeti qëndrimin e tij në pamjet filmike nga terreni, të cilat i cilësoi si prova të qarta të dhunës ndaj policëve në detyrë.

“Shihini pamjet! Me provë se kaq nuk ka!”, theksoi deputeti.

Në reagimin e tij, Braçe paralajmëroi se tolerimi i këtyre akteve do të kishte pasoja të rënda institucionale dhe morale, duke e quajtur faljen e dhunës një tradhti ndaj Policisë së Shtetit dhe ndaj vetë shtetit.

“Nëse kjo falet sërish, kjo është tradhti shumë e madhe ndaj atyre burrave e grave të ndershëm që po mbrojnë shtetin e shqiptarëve, jo shtetin e partive apo të politikanëve”, shkroi Braçe.

Deklaratat e tij vijnë pas një dite të shoqëruar me përplasje të forta dhe bilanc të lartë efektivësh të lënduar gjatë protestës.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033