Detaje të reja janë zbardhur nga gjyqi për vrasjen e 22-vjeçares shqiptare Ilaria Sula në Itali, ku i akuzuari Mark Antony Samson ka dhënë dëshmi para Gjykatës së Krimeve të Rënda në Romë.
Gjatë seancës në ambientet e sigurisë së lartë të burgut “Rebibbia”, 24-vjeçari pranoi se nuk arrin të shpjegojë momentin e krimit.
“Nuk mund ta shpjegoj çfarë më ndodhi… ishte sikur një perde më kishte bllokuar sytë. Nuk mbaj mend sa herë e godita, por padyshim më shumë se dy herë,” deklaroi ai.
Ngjarja ndodhi më 23 mars 2025 në apartamentin e tij në Romë, ku Ilaria Sula u vra me thikë.
I akuzuari pranoi gjithashtu se në dëshmitë e mëparshme nuk kishte treguar gjithmonë të vërtetën, duke thënë se kishte tentuar të mbronte nënën e tij, e cila më herët është dënuar për fshehje kufome.
Sipas tij, viktima kishte qenë e zemëruar pasi kishte zbuluar se ai e kishte gënjyer për studimet universitare.
Në sallën e gjyqit ishin të pranishëm edhe prindërit e 22-vjeçares, të cilët përjetuan momente të forta emocionale gjatë dëshmisë.
“Nuk po kërkoj hakmarrje, vetëm drejtësi. Dhe drejtësia do të thotë burgim i përjetshëm,” u shpreh babai i viktimës.
Ndërsa nëna e saj u detyrua të largohej për disa minuta nga salla për shkak të gjendjes së rënduar emocionale.