Gati 26 mijë euro janë sekuestruar në pikën kufitare të Kakavijës, pasi nuk ishin deklaruar nga dy shtetas në dalje të Shqipërisë. Për rastin ka nisur procedim penal në gjendje të lirë.
Sipas njoftimit zyrtar, në vijë të dytë kontrolli u kaluan shtetasit F. V. dhe M. J. Gjatë kontrollit fizik, F. V., 60 vjeç, banues në Berat, u kap me 10,950 euro të padeklaruara, ndërsa M. J., 54 vjeçe, banuese në Tiranë, kishte në çantë 15,000 euro që nuk i kishte deklaruar.
Shumat e parave u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, ndërsa specialistët për Hetimin e Krimeve të DVKM Gjirokastër referuan materialet në Prokurori për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër për veprime të mëtejshme.