Furnizimi me ujë të pijshëm në Vlorë pritet të rikthehet plotësisht brenda orëve të pasdites, pas ndërhyrjes teknike për riparimin e defektit të rëndë në tubacionin kryesor. Këtë e ka bërë të ditur drejtori i Ujësjellësit Vlorë, Ermal Murati.
Sipas tij, pajisja e re e instaluar pas avarisë është tashmë funksionale dhe po mundëson furnizimin gradual të qytetit. Aktualisht, një pjesë e zonave po marrin ujë, ndërsa depot po mbushen për të garantuar shpërndarjen e plotë në vijim.
“Po furnizohet një pjesë e qytetit dhe depot janë duke u mbushur. Në orët e pasdites i gjithë qyteti do t’i kthehet normalitetit. Dëmtimi ishte shumë i rëndë, por fatmirësisht jemi drejt zgjidhjes përfundimtare,” u shpreh Murati.
Ai theksoi se përballimi i situatës është bërë i mundur falë angazhimit maksimal të strukturave përgjegjëse, përfshirë AKUK, bashkinë dhe qeverinë shqiptare. Murati kërkoi mirëkuptim nga qytetarët për vështirësitë e ditëve të fundit dhe njoftoi se pas stabilizimit të situatës do të kryhet një vlerësim i plotë i gjithë procesit.