Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, ka komentuar sërish veprimtarinë politike të Ervin Salianji, duke theksuar se ai nuk është më pjesë e strukturave drejtuese të Partisë Demokratike.
Sipas Nokës, Salianji nuk është as anëtar i Kryesisë dhe as i ndonjë strukture tjetër të PD-së, pasi është vetëpërjashtuar nga partia për shkak të veprimeve të tij.
Ai deklaroi se momenti i shkëputjes ka qenë organizimi i një aktiviteti në Elbasan, ku Salianji, sipas Nokës, është takuar me persona të përfshirë në aktivitete kriminale, duke kaluar kështu një vijë të kuqe të panegociueshme për Partinë Demokratike.
“Unë flas për Partinë Demokratike. Zotëria nuk është as anëtar i Kryesisë dhe as i ndonjë strukture tjetër të PD-së. Që nga momenti kur vetëpërjashtoi veten, nuk ka më lidhje me këtë parti. Që kur u ul me Ergys Agasin, Suel Çelën dhe Ben Qimen për të organizuar aktivitetin e Elbasanit, ai kaloi vijën e kuqe të kësaj force politike,” u shpreh Noka.
Ai shtoi se Partia Demokratike ka të përcaktuar qartë në statut qëndrimin ndaj çdo forme bashkëpunimi me krimin e organizuar.
“Marrëveshjet me krimin e organizuar dhe mafien janë vijë e kuqe për ne. Kjo është e përcaktuar edhe në statut. Kush e kalon këtë vijë, vetëpërjashtohet. Për ne, kjo çështje është histori e mbyllur,” përfundoi Noka.