Njihuni me DIVA 2025: Kompensimi për Shpenzimet Arsimore të Fëmijëve Nën Moshën 18 Vjeç

Nga viti 2025, tatimpaguesit do të kenë mundësinë të përfitojnë kompensim deri në 48 mijë lekë për çdo fëmijë nën 18 vjeç, për shpenzimet arsimore, përmes deklaratës vjetore DIVA 2025.

Kjo risi e ligjit të ri “Për tatimin mbi të ardhurat” do të zbatohet për të ardhurat e realizuara gjatë vitit 2025 dhe do të dorëzohet në fillim të vitit 2026.

Për herë të parë, ligji parashikon kompensim të drejtpërdrejtë për shpenzimet arsimore të fëmijëve nën moshën 18 vjeç. Çdo individ që ka fëmijë të këtij grupmoshe do të mund të përfitojë deri në 48 mijë lekë çdo vit, pavarësisht nivelit të të ardhurave. Ky kompensim do të ndihmojë familjet për të përballuar koston e arsimit dhe është një hap i rëndësishëm për mbështetje sociale.

Sipas administratës tatimore, vlera totale e kompensimeve që do të sigurohen për familjet shqiptare përmes këtij mekanizmi pritet të arrijë deri në 20 milionë euro. Kjo është një ndihmë e konsiderueshme për tatimpaguesit dhe një mundësi për të lehtësuar ngarkesën financiare që shkaktojnë shpenzimet për arsimimin e fëmijëve.

Ligji i ri gjithashtu përfshin mundësinë e zbritjes deri në 100 mijë lekë për individët që kanë të ardhura më të ulëta se 1,2 milionë lekë në vit. Kjo përfitim do të mund të bëhet vetëm përmes deklaratës vjetore DIVA 2025, që do të dorëzohet në fillim të vitit 2026. Deklarimi i shpenzimeve dhe kompensimeve duhet të bëhet nga individi me të ardhura më të larta brenda një familjeje, për të shmangur mundësinë e përfitimit të dyfishtë.

Për të përfituar nga ky kompensim, zbritjet dhe shpenzimet për arsim duhet të mbështeten në dokumentacion të rregullt dhe të verifikueshëm. Fëmijët në ngarkim duhet të jenë të regjistruar në certifikatën personale të tatimpaguesit, ndërsa për shpenzimet për arsim, duhet të paraqiten fatura të lëshuara nga institucione arsimore të licencuara.

Ky sistem i ri do të ndihmojë për të inkurajuar familjet të investojnë më shumë në arsimimin e fëmijëve të tyre dhe të përfitojnë nga mundësitë financiare që ofron shteti. Ky është një hap i rëndësishëm drejt përmirësimit të kushteve të jetesës dhe mbështetjes për zhvillimin e arsimit në Shqipëri.

Ndaj Postimin: