Rezart Kuçi, aktualisht shef seksioni në Policinë Shkencore në Kukës, është arrestuar këtë të shtunë në kuadër të operacionit të zhvilluar nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Vlorë, ku u godit grupi i drejtuar nga Ines Hajrulla. Ndaj tij rëndojnë akuzat për “Shpërdorim detyre”, “Trafikim të lëndëve narkotike” dhe “Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”.
Arrestimi i Kuçit vjen vetëm një vit pasi ai ishte vlerësuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit me certifikatë për “Shërbime të Dalluara”. Sipas SPAK, ai dyshohet si pjesë e grupit kriminal që akuzohet për porositjen e dy vrasjeve dhe përfshirje në episode të ndryshme të trafikut ndërkombëtar të drogës.
Në të njëjtin operacion është arrestuar edhe ish-punonjësi i policisë Hames Demushi, i cili rezulton të jetë ndaluar në Zvicër. Sipas të dhënave nga hetimet, janë zbardhur dy vrasje të ndodhura në vitin 2021, të cilat dyshohet se lidhen me veprimtari kriminale të këtij grupi.
Hetimet kanë dokumentuar vrasjen e Gentjan Qarrit, i njohur me nofkën “Gëçe”, ngjarje e ndodhur më 6 shkurt 2021 pranë Bibliotekës te Kisha Ortodokse, në lagjen “29 Nëntori” në Vlorë. Po ashtu, është zbardhur edhe vrasja e Bledar Birçajt, 40 vjeç, i ekzekutuar me armë zjarri më 10 maj 2021, ndërsa lëvizte me mjetin tip “BMW X5” në zonën e njohur si “Bishti i Kalldrëmit”. Drejt automjetit të tij u qëllua me breshëri kallashnikovi nga një mjet tjetër në lëvizje. Birçaj, pronar i lokalit “The Boss” në Lungomare, u transportua me urgjencë në spital, por nuk mundi të mbijetonte.
Sipas burimeve hetimore, dy shtetas të tjerë janë ndaluar në Itali, një në Greqi, ndërsa mes personave të shpallur në kërkim janë Ines Hajrulla dhe Ervis Hajrulla. Dyshohet se anëtarët e këtij grupi kanë porositur dhe organizuar ekzekutimin e Gentjan Qarrit, për motive që lidhen me veprimtari kriminale.
Gjatë operacionit në zonën e Ujit të Ftohtë, forcat speciale kanë bllokuar rrugën e sipërme pranë blloqeve të pallateve, duke ndaluar qarkullimin e mjeteve dhe këmbësorëve, ndërsa operacioni është mbështetur edhe nga ajri me dron.
Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.