Një shpërthim vullkanik mund të ketë shkaktuar zinxhirin që solli murtajën e zezë në Europë

Një shpërthim i fuqishëm vullkanik rreth vitit 1345 mund të ketë shkaktuar një seri ngjarjesh klimatike dhe ekonomike që përfundimisht sollën murtajën e zezë në Europë, sipas një studimi të ri shkencor. Analiza e shtresave të unazave të pemëve dhe bërthamave të akullit sugjeron se shpërthimi ka shkaktuar një rënie të fortë të temperaturave, duke dëmtuar rendimentet bujqësore në Mesdhe.

Kushtet e acarta çuan në dështime të njëpasnjëshme të të korrave. Për të shmangur urinë, qytetet shtetërore italiane u detyruan të importonin grurë nga rajonet e Detit të Zi. Pikërisht përmes këtij rrjeti tregtar, pleshtat bartës të bakteriut Yersinia pestis, të cilët jetonin në brejtës, u transferuan drejt Europës.

Ky është mekanizmi që studiuesit e Universitetit të Kembrixhit dhe Institutit Leibniz për Historinë dhe Kulturën e Europës Lindore propozojnë si hallkën e munguar në shpjegimin e përhapjes së murtajës së zezë, pandemisë më vdekjeprurëse të kontinentit.

Dr Ulf Büntgen nga Universiteti i Kembrixhit tha se ngjarjet përbëjnë një mësim për rreziqet që sjell ndryshimi i klimës në botën e globalizuar. Sipas tij, ndërsa kombinimi i faktorëve që solli murtajën e zezë ishte i rrallë, rreziku që sëmundjet zoonotike të përhapen për shkak të goditjeve klimatike është në rritje.

Të dhënat dendrokronologjike tregojnë se verat e viteve 1345 deri 1347 kanë qenë jashtëzakonisht të ftohta. Shkak besohet të ketë qenë bloza dhe gazrat vullkanikë që kanë bllokuar pjesërisht rrezatimin diellor. Ky ftohje e papritur ndikoi në dështimin e kulturave bujqësore në Mesdhe, duke e detyruar Italinë të aktivizojë lidhjet e saj tregtare me porte si Tana dhe Konstantinopoja, duke sjellë pa dijeni patogjenin vdekjeprurës.

Murtaja e zezë arriti kulmin në Europë në vitet 1348 dhe 1349, duke vrarë deri në gjysmën e popullsisë. Studiuesi Martin Bauch nga GWZO thekson se kriza klimatike e asaj periudhe hasi një sistem të brishtë sigurie ushqimore, duke krijuar një stuhi të përsosur që mundësoi përhapjen e shpejtë të sëmundjes.

Ky studim sjell një këndvështrim të ri mbi mënyrën se si faktorët natyrorë dhe ekonomikë mund të ndërthuren për të ndikuar historinë e njerëzimit, dhe rikujton rolin që ndryshimet klimatike mund të kenë në lindjen e pandemive edhe në të ardhmen.

Ndaj Postimin: