Kancelari gjerman Olaf Scholz dhe rivali i tij kryesor, Friedrich Merz, u përplasën në një debat të tensionuar televiziv, duke shpalosur vizionet e tyre për Gjermaninë.
Diskutimi, që shënon hyrjen në fazën përfundimtare të fushatës elektorale, u fokusua në temat kyçe si migracioni, ekonomia, politika e jashtme dhe politikat fiskale.
Debati mbi migracionin dhe azilin
Një nga pikat më të diskutuara ishte politika ndaj azilit. Merz u shpreh se ndalimi i hyrjeve të paligjshme në kufijtë tokësorë të Gjermanisë është i mundur dhe se vende të tjera si Franca dhe Danimarka e aplikojnë me sukses. Nga ana e tij, Scholz mbrojti qasjen e qeverisë së tij, duke theksuar se masat aktuale kanë sjellë uljen më të madhe të numrit të kërkesave për azil që nga viti 2016 dhe se politika e kthimeve do të vazhdojë.
Ekonomia dhe recesioni
Një temë kyçe në debat ishte edhe situata ekonomike e Gjermanisë. Merz akuzoi qeverinë për menaxhimin e dobët të krizës, duke theksuar se vendi po kalon vitin e tretë të recesionit dhe se falimentimet e firmave janë shtuar. Scholz, nga ana e tij, argumentoi se baza ekonomike e vendit mbetet e fortë dhe se sfidat ekonomike janë të lidhura kryesisht me luftën në Ukrainë dhe krizën energjetike.
Politika e jashtme dhe qasja ndaj Trump
Diskutimi preku gjithashtu raportet me SHBA-në dhe qasjen ndaj një mandati të mundshëm të Donald Trump. Scholz theksoi se strategjia e tij do të vazhdojë të jetë “fjalë të qarta dhe bisedime miqësore”, ndërsa Merz paralajmëroi se Gjermania duhet të jetë e përgatitur për sfidat e mundshme nëse Trump rikthehet në pushtet.
Qëndrimet ndaj Ukrainës dhe NATO-s
Sa i përket Ukrainës, Scholz u shpreh kundër pranimit të menjëhershëm të saj në NATO, duke theksuar se prioritet mbetet garancia që vendi të mos sulmohet sërish. Merz, ndonëse pranoi që Ukraina aktualisht nuk mund të jetë pjesë e NATO-s, theksoi se BE-ja duhet të mbajë përgjegjësitë e saj për ndihmën ndaj Kievit.
Strategjitë për koalicionet qeverisëse
Përsa i përket koalicioneve të mundshme, Merz shprehu dëshirën për të qeverisur me vetëm një partner, duke përjashtuar çdo bashkëpunim me AfD, të cilën e quajti një rrezik serioz për vendin. Ai gjithashtu vlerësoi se kushdo që dëshiron të qeverisë me konservatorët duhet të spostohet drejt politikave të qendrës.
Atmosfera e debatit dhe pritshmëritë
Debati u karakterizua nga qëndrime të forta dhe sulme të ndërsjella. Scholz, ndonëse sulmues, ruajti qetësinë dhe argumentoi me fakte, ndërsa Merz preferoi një stil më direkt, duke shtruar pyetje të hapura kundër rivalit të tij.
Ky debat televiziv, i pari mes dy rivalëve, shënoi nisjen e fazës finale të fushatës. Me sondazhet që aktualisht e vendosin Merz në krye me 29 deri 34% dhe Scholz në vend të tretë me 15 deri 18%, garës i mbetet edhe një rrugë e gjatë deri në ditën e votimit më 23 shkurt.


