Në ditën e dytë të Festivalit Antiracist në Athinë, kultura shqiptare spikat përmes përfaqësimit të denjë të Lidhjes së Mësuesve Shqiptarë në Greqi.
Festivali i 26-të Antiracist në Athinë vijon të mbledhë bashkë kultura nga e gjithë bota dhe këtë vit.
Lidhja e Mësuesve Shqiptarë në Greqi po spikat me një pjesëmarrje të veçantë. Në ditën e dytë të festivalit, stenda e tyre kulturore tërhoqi vëmendjen e shumë vizitorëve, duke sjellë gjallëri, ngjyra dhe mesazhe uniteti.
Mësuesit Kristina Roshi, Majlinda Harula Leka, Pjerin Lleshi, Irma Zaka dhe Elona Zeneli u bënë zëdhënës të vlerave shqiptare përmes dialogut, simboleve tradicionale dhe kostumeve të trashëguara. Përmes këtij angazhimi, ata përcollën mesazhin e bashkëjetesës dhe respektit të ndërsjellë, duke krijuar ura miqësie me komunitetet pjesëmarrëse, raporton gazetari Ndriçim Gjoshi.
Në një atmosferë të ngrohtë dhe gjithëpërfshirëse, përfaqësuesit shqiptarë zhvilluan biseda frymëzuese me individë nga kultura të ndryshme. Takimi me delegacionin e Forumit Grek për Emigracionin theksoi rëndësinë e edukimit në gjuhën amtare dhe nevojën për mbrojtjen e të drejtave të emigrantëve në shoqëritë pritëse.
Stenda e Lidhjes shërbeu si një pikë e gjallë referimi për të gjithë ata që duan të njihen me historinë, zakonet dhe gjuhën shqipe. Kostumet tradicionale, përgatitur me përkushtim nga znj. Theodhora Lambani dhe znj. Agapi Gjika, u bënë element qendror i prezantimit, duke sjellë emocione dhe krenari për trashëgiminë kulturore shqiptare.
Pjesëmarrja e mësuesve nuk ishte thjesht një angazhim formal, por një shembull i gjallë dialogu ndërkulturor. Nëpërmjet prezencës së tyre, u bë e qartë se shqiptarët në Greqi janë një pjesë aktive e mozaikut shumëngjyrësh të kësaj shoqërie.
Ky përfaqësim është një dëshmi se kultura shqiptare jo vetëm ruhet, por edhe promovohet me dinjitet, duke kontribuar në ndërtimin e një bashkëjetese të shëndetshme dhe të barabartë në Greqi.