Kanë nisur sot festimet në nderim të Shën Kozmait të Etolisë, një prej ngjarjeve më të rëndësishme të kalendarit fetar në Myzeqe, që çdo vit mbledh në Manastirin e Shën Kozmait në Kolkondas besimtarë dhe pelegrinë nga Fieri, Myzeqeja dhe mbarë Shqipëria.
Që prej orëve të pasdites dhe gjatë gjithë mbrëmjes së sotme, qindra besimtarë të krishterë ortodoksë, por edhe qytetarë të besimeve të tjera, i janë drejtuar Manastirit për t’u bërë pjesë e pelegrinazhit tradicional, për t’u lutur dhe për të nderuar kujtimin e shenjtorit.
Këtë vit pjesëmarrja ka qenë shumë e lartë. Fluksi i pelegrinëve ka vijuar deri në orët e vona të mbrëmjes, duke e kthyer Manastirin dhe gjithë zonën përreth në një qendër të madhe pelegrinazhi, besimi dhe përkushtimi shpirtëror.
Festimet kulmojnë nesër, më 24 gusht, në ditën kushtuar Shën Kozmait të Etolisë dhe përkujtimit të martirizimit të tij. Në Manastir do të zhvillohen ceremonitë kryesore fetare, ndërsa pritet pjesëmarrja e drejtuesve të lartë të Kishës Ortodokse, klerikëve dhe një numri të madh besimtarësh nga zona të ndryshme të vendit.
Manastiri i Shën Kozmait në Kolkondas mbetet një nga qendrat më të rëndësishme të pelegrinazhit në Myzeqe dhe një vend ku prej brezash ndërthuren besimi, historia dhe tradita.
Edhe këtë 23 dhe 24 gusht, mijëra hapa pelegrinësh bashkohen në të njëjtën rrugë drejt Kolkondasit, për të nderuar Shën Kozmain dhe për të mbajtur gjallë një traditë që i ka rezistuar kohës.