Nis sot gjyqi ndaj Erion Veliajt dhe 30 të pandehurve të tjerë

Në Gjykatën e Posaçme nis sot në orën 09:30 seanca e parë në themel për dosjen penale në ngarkim të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, bashkëshortes së tij Ajola Xoxa, si dhe 28 personave fizikë dhe juridikë të përfshirë në të njëjtën çështje.

Trupi gjykues do të kryesohet nga gjyqtarja Ëngjëllushe Tahiri, ndërsa anëtare do të jenë Alma Kodraliu dhe Rudina Palloj. Çështja kaloi për gjykim më 9 shkurt, me vendim të Gjykatës së Posaçme.

Erion Veliaj ndodhet në masën e sigurisë “arrest në burg” që prej 10 shkurtit 2025. Prokuroria e Posaçme e dërgoi dosjen për gjykim rreth pesë muaj më parë, duke ngritur ndaj tij 13 akuza, mes të cilave “Korrupsion pasiv”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, “Mosdeklarimi i pasurisë”, “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim”.

Sipas SPAK, akuza kryesore ndaj Veliajt lidhet me korrupsion pasiv të kryer në nëntë raste, në raport me disa kompani, të cilat dyshohet se kanë përfituar leje ndërtimi dhe fonde publike nga Bashkia e Tiranës, ndërsa në këmbim kanë dhënë përfitime të parregullta në formën e shumave monetare dhe pasurive të paluajtshme.

Ajola Xoxa akuzohet për korrupsion pasiv në nëntë raste në lidhje me subjekte tregtare dhe organizata jofitimprurëse. Ndaj saj janë ngritur gjithashtu akuza për pastrim parash, mosdeklarim pasurie dhe fshehje të të ardhurave.

Në këtë dosje janë përfshirë edhe disa biznesmenë, të akuzuar për korrupsion aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë, fshehje të të ardhurave dhe pastrim parash. Ish-deputetja Klotilda Bushka akuzohet për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.

Po ashtu, në listën e të pandehurve është edhe Fatjon Baci, gardian në burgun e Durrësit, i akuzuar për “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim”, pasi dyshohet se i ka dhënë telefonin Erion Veliajt gjatë transferimit të tij nga qelia në gjykatë, në dy raste.

Procesi gjyqësor nis sot me shqyrtimin në themel të akuzave, në një nga çështjet më të ndjekura të drejtësisë së posaçme.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033