Nis procesi i vaksinimit kundër gripit në spitalin e Fierit.

Nis procesi i vaksinimit kundër gripit në spitalin e Fierit.

Fushata e vaksinimit kundër gripit ka nisur në të gjithë vendin, dhe në Fier vërehet një interes i lartë, sidomos nga të moshuarit.

Vaksinimi është veçanërisht i rëndësishëm për personat me diabet, të cilët nuk duhet ta neglizhojnë vaksinën që i mbron nga gripi gjatë dimrit.

Në qendrat shëndetësore të Fierit janë shpërndarë 27 mijë doza të vaksinës për gripin sezonal. Në 10 ditët e para të fushatës, popullata në zonat rurale ka treguar një interes të shtuar, ndërkohë që në qytet ka një rënie të lehtë të interesit.

Shefja e Shërbimit Epidemiologjik në Fier, Anila Moci, tha në një intervistë për Report TV se ka një përmirësim në krahasim me vitet e mëparshme, por prapë nuk është në nivelin e dëshiruar. Ajo theksoi se grupet shëndetësore kanë dalë në terren për të sensibilizuar popullatën që të vaksinohen para fillimit të sezonit të gripit.

Moci thekson gjithashtu rëndësinë e veçantë që ka vaksina për personat me diabet, pasi format e rënda të gripit mund të kenë pasoja serioze për ta. “Është shumë e rëndësishme që diabetikët të ndërgjegjësohen dhe të vaksinohen,” shtoi ajo.

Në nivel kombëtar, Instituti i Shëndetit Publik ka shpërndarë 280 mijë doza vaksine për të moshuarit, personat me sëmundje kronike dhe grupet e tjera të rrezikuara. Përveç vaksinës së gripit, javën e ardhshme priten edhe 5.800 doza të vaksinës anti-COVID për nënvariantet e reja të Omikronit. Të dyja vaksinat, ajo kundër gripit dhe COVID-it, mund të merren në të njëjtën ditë në çdo qendër shëndetësore.

Ndaj Postimin:

Postime të tjera