Autoritetet britanike kanë arrestuar për qëllim ekstradimi një shtetas shqiptar të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, i cili pritet të transferohet drejt Shqipërisë për t’u përballur me drejtësinë.
Bëhet fjalë për Igli Hazizajn, i lindur në Fier, i cili kërkohet nga autoritetet shqiptare për veprën penale të përdorimit të dokumenteve të falsifikuara. Sipas të dhënave zyrtare, më 9 dhjetor 2022 ai është identifikuar si mbajtës i një pasaporte greke të falsifikuar.
Hazizaj kishte hyrë ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar dhe u lokalizua nga autoritetet britanike pas arrestimit të tij në një banesë, ku dyshohej për përfshirje në aktivitet kriminal. Gjatë verifikimeve, u konstatua se ai ishte në kërkim nga drejtësia shqiptare, çka çoi në aktivizimin e procedurave të ekstradimit.
Paralelisht, Igli Hazizaj u dënua nga drejtësia britanike për përfshirje në kultivimin e kanabisit në tre prona të ndryshme. Sipas vendimeve gjyqësore, ai u identifikua si personi kryesor që drejtonte këtë aktivitet, duke pasur rolin e menaxherit të strukturës kriminale. Dy persona të tjerë ishin angazhuar për mirëmbajtjen e bimëve, ndërsa fitimi i pritshëm nga aktiviteti vlerësohej në miliona paund.
Gjykata britanike e dënoi Igli Hazizajn me tre vite burg, ndërsa bashkëpunëtorët e tij u dënuan me masa më të lehta. Pas përfundimit të dënimit në Mbretërinë e Bashkuar, ai do të vijojë të mbahet në paraburgim në pritje të vendimit përfundimtar mbi ekstradimin drejt Shqipërisë.
Interpol Tirana dhe autoritetet shqiptare janë në kontakt me palën britanike për përfundimin e procedurave ligjore dhe kthimin e tij në vend, ku do të përballet me akuzat e ngritura nga drejtësia shqiptare.