Nis linja direkte Tiranë–Toronto, fluturimi i parë transoqeanik nga Shqipëria

Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës (TIA) dhe kompania ajrore kanadeze Air Transat kanë njoftuar hapjen e linjës së parë direkte pa ndalesë midis Tiranës dhe Torontos, duke shënuar fluturimin e parë transoqeanik nga Shqipëria dhe lidhjen e parë ajrore direkte me Kanadanë.

Fluturimi i parë nga Toronto drejt Tiranës do të realizohet më 18 qershor 2026, në orën 22:00, ndërsa nisja inaugurale nga Tirana është planifikuar më 19 qershor 2026, në orën 15:00. Linja do të operohet me avionin Airbus A330-200 me rreth 350 vende dhe do të funksionojë gjatë gjithë sezonit veror deri më 9 tetor 2026, me një frekuencë javore.

“Hapja e linjës Tiranë–Toronto me Air Transat është një arritje madhore për TIA-n dhe për Shqipërinë. Ky është shërbimi ynë i parë transoqeanik dhe lidhja jonë e parë direkte me Atlantikun e Veriut”, deklaroi drejtori i Operacioneve të Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, Piervittorio Farabbi, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe investimeve që e bënë të mundur këtë zhvillim.

Linja e re adreson kërkesën e lartë për fluturime direkte mes Shqipërisë, rajonit dhe Kanadasë, duke e bërë udhëtimin më të shpejtë dhe më praktik për pasagjerët. Pritet që kjo lidhje të ndikojë pozitivisht në rritjen e turizmit, aktivitetit të biznesit dhe shkëmbimeve kulturore.

Autoritetet theksojnë se finalizimi i marrëveshjes u arrit falë angazhimit të Qeverisë Shqiptare dhe koordinimit të ngushtë institucional, ndërsa modernizimi i vazhdueshëm i Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës nga Grupi Kastrati ka siguruar kapacitetet e nevojshme për operimin e fluturimeve ndërkontinentale.

Linja Tiranë–Toronto vjen në një moment zgjerimi të rëndësishëm për TIA-n, i cilësuar si aeroporti me rritjen më të shpejtë në Evropë dhe një nyje kyçe e aviacionit në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Air Transat, një kompani ajrore e njohur globalisht, sjell për herë të parë në Shqipëri eksperiencën e saj në fluturimet ndërkombëtare rekreative, të mbështetur nga një flotë moderne dhe shërbim i vlerësuar ndërkombëtarisht.

Ndaj Postimin: