Në palestrën e shkollës “Foto Puka” ka nisur Kampionati i 18-të i Volejbollit mes shkollave 9-vjeçare të Bashkisë Lushnjë. Një aktivitet sportiv që për dy javë do t’u kushtohet vajzave dhe djemve, duke bërë bashkë nxënës nga 16 shkolla të qytetit dhe njësive administrative.
Ndeshja hapëse u zhvillua mes shkollës “Kongresi i Lushnjës” dhe shkollës “Gafurr Muço”, duke shënuar startin e këtij kompeticioni, i cili tashmë është kthyer në një traditë sportive për nxënësit e arsimit 9-vjeçar.
Kampionati organizohet nga Qendra Kulturore e Fëmijëve, në bashkëpunim me Zyrën Vendore të Arsimit Parauniversitar e Bashkia Lushnjë.
Në këtë aktivitet, një rol të rëndësishëm kanë edhe mësuesit e edukimit fizik, të cilët përveç përgatitjes së nxënësve, angazhohen edhe si trajnerë të ekipeve pjesëmarrëse.
Përmes këtij kampionati synohet promovimi i sportit në shkolla, nxitja e frymës së garës, bashkëpunimit dhe evidentimi i talenteve të reja në volejboll.
Në përfundim të kampionatit do të shpallen ekipet kampione për vajza dhe djem, si dhe do të vlerësohen nxënësit që spikasin për paraqitjen dhe aftësitë e tyre individuale.
I zhvilluar çdo vit, ky aktivitet synon t’i afrojë gjithnjë e më shumë të rinjtë me sportin, duke e kthyer atë në një pjesë të rëndësishme të jetës shkollore.