Nis deklarimi vjetor i të ardhurave, sistemi DIVA hapet për qytetarët me afat deri më 31 mars 2026

Administrata Tatimore ka hapur zyrtarisht sistemin për dorëzimin e Deklaratës Individuale Vjetore të të Ardhurave (DIVA 2025), e cila do të paraqitet përmes llogarisë personale në platformën elektronike e-Filing. Afati përfundimtar për dorëzimin e deklaratës është 31 mars 2026.

Deklarata gjenerohet e paraplotësuar në sistem, ndërsa qytetarët kanë mundësi të verifikojnë të dhënat dhe të aplikojnë për përfitime tatimore. Përveç kompensimit standard prej 48 mijë lekësh, këtë vit përfshihen edhe zbritje për shpenzimet e arsimit të fëmijëve.

Detyrimin për të dorëzuar DIVA-n e kanë individët që gjatë vitit 2025 kanë pasur pagë bruto mbi 100 mijë lekë në muaj ose mbi 1.2 milionë lekë në vit, si dhe të gjithë personat e dy-punësuar. Po ashtu, deklarimi është i detyrueshëm për individët që kanë realizuar të ardhura mbi 50 mijë lekë në vit nga burime të tjera, për të cilat nuk është mbajtur tatimi në burim, përfshirë të ardhurat nga platformat online si Facebook, YouTube, Google, Booking apo Airbnb.

Për herë të parë, prindërit me fëmijë nën moshën 18 vjeç përfitojnë një zbritje prej 48 mijë lekësh nga baza e tatueshme për çdo fëmijë. Kjo zbritje aplikohet vetëm nga njëri prej prindërve, ai me pagën më të lartë në familje. Për këtë skemë të re, buxheti i shtetit ka parashikuar 1.5 miliardë lekë.

Gjithashtu, familjet me të ardhura vjetore deri në 1.2 milionë lekë kanë të drejtë të zbresin nga baza e tatueshme edhe shpenzimet e arsimit të fëmijëve deri në vlerën maksimale 100 mijë lekë, me kusht që të disponojnë faturat përkatëse për pagesat e kryera gjatë vitit.

Autoritetet sqarojnë se edhe qytetarët që nuk e kanë detyrim dorëzimin e DIVA-s, por përmbushin kushtet për përfitime tatimore për fëmijët, duhet të aplikojnë në sistem për të përfituar zbritjet dhe kompensimet përkatëse.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033