Kadastra e Vlorës do të shpërngulet nga qyteti bregdetar dhe do të transferohet plotësisht në Tiranë, pranë rrugës “Jordan Misja”. Vendimi është firmosur më 23 janar nga drejtoresha e përgjithshme e Kadastrës, Lorena Goxhobelli, ndërsa procesi i zhvendosjes duhet të përfundojë deri në fund të këtij muaji.
Sipas informacionit, në Vlorë kanë mbetur vetëm një pjesë e strukturave, pasi transferimi ka nisur që gjatë vitit të kaluar. Në këtë kuadër, drejtori Albion Koçi dhe 25 punonjës janë zhvendosur prej muajsh në Drejtorinë e Përgjithshme në Tiranë.
Aktualisht, në Vlorë ndodhen rreth 55 punonjës të tjerë, të cilët do të duhet të transferohen në kryeqytet, duke përmbyllur kështu zhvendosjen e plotë të institucionit.
Kadastra e Vlorës ka pasur ndryshime të shpeshta në drejtim. Drejtuesi i fundit ishte Genc Deromemaj, i cili u dorëhoq nga detyra në nëntor të vitit 2025, pas katër muajsh në krye të institucionit.
Vendimi për zhvendosjen e Kadastrës në Tiranë vjen rreth një vit pasi institucioni ishte transferuar në një godinë të re në Vlorë, pranë ish-Shtëpisë së Oficerëve.