Dikur Sali Berisha fliste për të drejtat e komunitetit LGBT si liri themelore njerëzore, sot i quan këto të drejta kërcënim ndaj familjes tradicionale dhe vlerave shqiptare.
Më shumë se dhjetë vite më parë, në një zyrë të qetë të Kryeministrisë, dy aktivistë LGBT u pritën nga Sali Berisha. Atmosfera nuk kishte tension, dhe fjalët e tij nuk ngjanin aspak me retorikën që dëgjohet sot. Ai tërhoqi vëmendje me një frazë që sot do tingëllonte krejt ndryshe: “Pse të mos jetojnë bashkë? Homoseksualiteti është po aq i vjetër sa njerëzimi”.
Ai u tregua i kujdesshëm, madje pothuaj i përzemërt. I dëgjoi, i mbështeti moralisht dhe u tha se paragjykimet duhen tejkaluar. “Ky është një akull që duhet thyer”, kujtojnë ata që ishin të pranishëm në takim. Ai fliste atëherë si një lider që kërkonte të ishte mbi mentalitetet e vjetra, raporton VNA.
Por skena politike ka kujtesë të shkurtër. Sot, i njëjti Berisha, në të njëjtën sallë, me të njëjtën zë, artikulon të kundërtën. Projektligji për barazinë gjinore nuk është më reformë europiane, por “rrezik për familjen”. Liritë për të cilat dikur fliste si të drejta themelore, tashmë paraqiten si “ideologji e importuar që shkatërron traditën”.
Në thelb, nuk ka ndryshuar as komuniteti LGBT dhe as kërkesat e tyre. Ajo që ka ndryshuar është pozita e tij: dikur në pushtet, fliste si reformator; sot në opozitë, flet si rojtar i portave të vjetra kulturore.
Ndryshimi i qëndrimit nuk vjen nga reflektimi shoqëror, por nga llogaritë politike. Në një Shqipëri ku fjalimet transformohen më shpejt se bindjet, kauzat përdoren si armë e jo si parim.
Kështu, dy Berishë bashkëjetojnë në kujtesën publike: njëri që thoshte se askush s’duhet ndaluar të dashurojë; tjetri që thotë se dashuria është kërcënim. Dhe për t’i kuptuar të dy, duhet parë jo koha, por karrigia ku janë ulur.