Shoqëria 4 A-M SHPK, përfituese e fondeve të konsiderueshme nga tenderat publikë gjatë viteve të fundit, ka mbyllur vitin 2025 me zgjerim të ndjeshëm të aktivitetit të saj. Përveç konsolidimit në sektorin energjetik, ku ka marrë kontrollin e disa shoqërive që operojnë në këtë fushë, kompania ka hyrë së fundmi edhe në sektorin e turizmit.
Autoriteti i Konkurrencës ka autorizuar përqendrimin që i lejon 4 A-M SHPK të përfitojë kontrollin e plotë të shoqërisë Heaven Beach SHPK, përmes blerjes së 100% të kuotave të kapitalit nga dy shtetase, Antoneta Maksakuli dhe Maria Maksakuli. Vendimi është marrë me Vendimin nr. 1223, datë 29 tetor 2025, pas shqyrtimit të dokumentacionit ligjor dhe vlerësimit të ndikimit në treg.
Sipas vendimit, transaksioni konsiston në transferimin e plotë të kapitalit të Heaven Beach SHPK tek 4 A-M SHPK, duke e bërë këtë të fundit ortak të vetëm. Heaven Beach SHPK është një shoqëri e re, e fokusuar në ndërtim dhe shërbime hoteliere, me objekt zhvillimin e një hoteli trekatësh në qytetin e Sarandës, në një zonë me potencial të lartë turistik.
4 A-M SHPK është e regjistruar si shoqëri me përgjegjësi të kufizuar dhe ushtron aktivitet në fusha të ndryshme, përfshirë punime dhe instalime elektrike, ndërtim, tregti import-eksport dhe projekte infrastrukturore e energjetike. Gjatë vitit 2025, kompania ka marrë kontrollin e disa shoqërive të tjera, përfshirë Iliriada SHPK, MD Green Energy SHPK, O-SP Albania SHA dhe Green Energy Plus SHPK.
Sipas analizës së Autoritetit të Konkurrencës, aktiviteti kryesor i 4 A-M mbetet i përqendruar në punime elektrike dhe ndërtim, ndërsa përmes shoqërive të kontrolluara ajo është e pranishme edhe në tregjet e importit, magazinimit të karburanteve dhe prodhimit të energjisë elektrike.
Shoqëria 4 A-M SHPK është përfshirë gjithashtu në vëmendjen e strukturave të posaçme të hetimit, për shkak të dyshimeve mbi procedurat e tenderimit dhe marrëdhëniet kontraktore. Sipas të dhënave zyrtare mbi pagesat nga Thesari i Shtetit, kompania ka përfituar mbi 140 milionë euro fonde publike gjatë viteve të fundit. Një pjesë e këtyre fondeve pritet të investohet tashmë në sektorin e turizmit, përmes zhvillimit të hotelit në Sarandë.