Kosova shënon sot 18 vite nga dita kur Kuvendi, më 17 shkurt, shpalli njëzëri vendin shtet të pavarur, sovran dhe demokratik. Përvjetori po shënohet me aktivitete institucionale.
Në seancën solemne të organizuar nga Qeveria e Kosovës, kryeministri Albin Kurti mbajti një fjalim ku vuri theksin te vlerat mbi të cilat është ndërtuar shteti. Ai u shpreh se, megjithëse Pavarësia dhe Kushtetuta janë të reja, identiteti i popullit është i lashtë, ndërsa shteti qëndron mbi lirinë, demokracinë, barazinë, drejtësinë, prosperitetin dhe përfshirjen.
Kurti theksoi se çdo qytetar, pa dallim gjuhe, etnie, feje apo prejardhjeje, është i barabartë para ligjit. Ai përmendi gjithashtu përfaqësuesit që morën pjesë në shpalljen e Pavarësisë dhe që sot po gjykohen nga Dhomat e Specializuara në Hagë, duke e cilësuar kontributin e tyre për lirinë dhe pavarësinë si të çmuar dhe duke shtuar se historia do të japë gjykimin e drejtë.
Sipas tij, ky përvjetor përkon me fillimin e mandatit të ri qeverisës. Ai nënvizoi se sfidat janë të shumta, por edhe qëllimet janë të larta, duke u bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të kontribuojnë maksimalisht në forcimin e shtetit. Kryeministri theksoi se kabineti qeveritar është instrument në realizimin e këtyre synimeve.