Nga qelia, Salianji: Koha për veprim! Fokus te ekonomia dhe garancitë për qytetarët

Ervin Salianji, me anë të një letre nga qelia në Fier, u është drejtuar diasporës shqiptare në ditën kur nisi regjistrimi i tyre për të votuar në zgjedhjet e 11 majit.

Në letrën e tij, Salianji theksoi rëndësinë e votës së diasporës dhe kritikoi qeverinë për dështimet e saj të përsëritura, veçanërisht në lidhje me ekonominë dhe lidhjet me krimin.

Në analizën e tij politike, Salianji përshkruan një “qeveri të ngrysur dhe një opozitë entuziaste”, duke pohuar se mazhoranca aktuale është e konsumuar nga pushteti i gjatë, mungesa e ideve dhe përçarjet e brendshme. Ai e akuzoi qeverinë për tentativa për të kapur edhe votën e diasporës përmes patronazhistëve, duke shtuar se pakënaqësia mes qytetarëve është në rritje për shkak të varfërisë dhe korrupsionit.

Kritikat e Salianjit shkuan edhe më tej, duke ironizuar përpjekjet e kryeministrit Rama për të promovuar turizmin si një arritje të vetme të qeverisë. “Rama kërkon mandatin e katërt duke u bazuar te bukuritë natyrore, sikur ato janë krijime të tij. Ai mbulon me këtë fasadë dështimet e tij 12-vjeçare në ekonomi dhe lidhjet e ngushta me bandat dhe trafikantët,” shkroi Salianji.

Duke iu referuar një artikulli të publikuar në median gjermane Bild, Salianji theksoi se ndërsa një shkrim për turizmin u shpërnda gjerësisht nga qeveria, një tjetër artikull që denonconte lidhjet e saj me krimin u hesht. Ai përmendi edhe rastin e denoncimit të tij për lidhjet e ngushta të ish-ministrit të Brendshëm me trafikantët e drogës, çka sipas tij e ka vënë atë në shënjestër të kryeministrit.

Megjithatë, Salianji e paralajmëron opozitën të mos bjerë në eufori. “Pakënaqësia ndaj qeverisë nuk mjafton për të sjellë ndryshimin. Njerëzit janë të zhgënjyer dhe kanë nevojë për një besim të ri, për garanci që një qeverisje e korruptuar si kjo e tre mandateve të fundit nuk do të përsëritet,” shkruan ai.

Duke vlerësuar rëndësinë e identitetit politik dhe kremtimin e ngjarjeve historike si dhjetori apo janari, Salianji theksoi se opozita nuk duhet të harrojë prioritetin kryesor: adresimin e halleve të qytetarëve. “Fokusi duhet të jetë i qartë: ekonomia. Çdo ditë larg problemeve të qytetarëve është një ditë e çuar dëm,” përfundoi Salianji, duke bërë thirrje për veprime të menjëhershme dhe konkrete.

Letra e tij, një apel për reflektim dhe mobilizim, vjen në një moment kritik për vendin, ku diasporës i është dhënë një mundësi e re për të ndikuar në të ardhmen politike të Shqipërisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ndaj Postimin:

Postime të tjera