Nga mungesa e prodhimit vendas , çmimet “fluturojnë”!

Mungesa e prodhimit vendas, dëmet nga përmbytjet dhe rritja e importeve kanë sjellë rritje të fortë të çmimeve të zarzavateve në treg. Produkte si specat dhe patëllxhanët po shiten deri në 400 lekë/kg, ndërsa spinaqi arrin në 300 lekë, duke u kthyer në mall luksi për shumë familje.

Të dhënat tregojnë diferenca të mëdha mes çmimit me shumicë dhe atij me pakicë, që në disa raste kalojnë 100%. Nga fusha deri te tregu, marzhet e larta dhe zinxhiri i ndërmjetësve po rëndojnë drejtpërdrejt xhepin e konsumatorit.

Importet janë rritur ndjeshëm vitet e fundit, duke zëvendësuar prodhimin vendas dhe duke diktuar çmimet në treg. Më të prekurit nga kjo situatë mbeten pensionistët dhe familjet me të ardhura të ulëta, për të cilët shporta bazë po bëhet çdo ditë e më e papërballueshme.

Sipas të dhënave të Instituti i Statistikave (INSTAT), importi i zarzavateve në vitin 2025 është rritur me rreth 14% krahasuar me një vit më parë, ndërsa në pesë vitet e fundit sasia është dyfishuar. Kjo tregon varësinë gjithnjë e më të madhe nga tregjet e huaja.

Edhe produktet bazë si patatja dhe qepa kanë pësuar rritje, duke dyfishuar çmimin nga shumica në pakicë. Në disa qytete, si Tirana dhe Gjirokastra, çmimet rezultojnë më të lartat në vend.

Ekspertët theksojnë se pa mbështetje për fermerët vendas dhe kontroll të zinxhirit të tregtimit, situata rrezikon të përkeqësohet edhe në muajt në vijim.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033