Zohran Mamdani premton se New York do të sfidojë hapur Donald Trumpin, duke e bërë qytetin simbol të rezistencës politike dhe të ndryshimit shoqëror.
Në fjalimin e tij të parë pas shpalljes fitues për postin e kryebashkiakut të New York-ut, Zohran Mamdani e bëri të qartë se ai dhe qyteti që ai do të drejtojë i kanë sytë nga Presidenti Donald Trump. Duke folur para mbështetësve në Brooklyn, ai deklaroi se New Yorku është vendi i duhur për të treguar se si mund të mposhtet një figurë politike e cila ka ndikuar thellë në ndarjet kombëtare.
Mamdani u shpreh se qyteti që e lindi Trumpin është pikërisht ai që mund ta sfidojë më fort. Sipas tij, për të trembur një lider autoritar, duhet shkatërruar mekanizmat që i dhanë atij pushtet. Këto deklarata u pritën me brohoritje nga mbështetësit që mbushën sallën.
Gjatë fjalimit, ai iu drejtua drejtpërdrejt Trumpit, duke i thënë se e di që ai po e dëgjon. Trump reagoi menjëherë në rrjetet sociale, duke shkruar: “Dhe kështu fillon!”, një mesazh që ndezi menjëherë valë diskutimesh politike.
Mamdani, 34 vjeç, do të jetë kryebashkiaku më i ri i New York-ut në një shekull dhe një nga figurat më të komentuara në skenën politike. Si emigrant mysliman dhe socialist demokrat, ai përfaqëson një brez që kërkon ndryshime të thella në politikat ekonomike dhe sociale të vendit.
Fushata e tij u fokusua tek problemet e jetesës së përditshme: rritja e kostove të ushqimit, qirasë, transportit dhe kujdesit për fëmijët. Ai premtoi se do të ndërhyjë në këto fusha duke adresuar interesat e shtresave të punës dhe duke frenuar përfitimet e korporatave të mëdha.
Republikanët e kanë bërë të ditur se do ta përdorin figurën e Mamdanit si shembull të “ekstremizmit të majtë” në zgjedhjet e vitit 2026. Kryetari i Komitetit Kombëtar Republikan, Joe Gruters, e quajti agjendën e Mamdanit “radikale” dhe paralajmëroi pasoja politike për demokratët.
Mamdani reagoi duke thënë se qyteti do të bashkohet për të mbrojtur punëtorët dhe komunitetet me të ardhura të ulëta. Ai akuzoi biznesmenë dhe pronarë të mëdhenj pasurish, përfshirë Trumpin, për përfitime nga skemat tatimore dhe shtypjen e qiramarrësve.
Ai theksoi se New York-u është ndërtuar nga emigrantët dhe se një qytet i tillë nuk do t’i dorëzohet politikave përjashtuese. Sipas tij, kushdo që synon të godasë komunitetet më të cenueshme, do të përballet me rezistencë të bashkuar.
Në fund të fjalimit, Mamdani citoi socialistin amerikan Eugene Debs dhe përmendi se synon të zbatojë politika të guximshme, përfshirë transport publik falas, kujdes universal për fëmijët dhe ngrirje të qirave në ndërtesat e stabilizuara. Ai e mbylli me një fjali simbolike: “Në këtë moment errësire politike, New York do të jetë drita.”


