Netanyahu vendos kusht për tërheqjen nga Libani

Izraeli paralajmëron se do të tërheqë gradualisht trupat nga Libani jugor vetëm nëse Bejruti çarmatos Hezbollahun deri në fund të vitit 2025.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka mirëpritur vendimin e kabinetit libanez për të nisur procesin e çarmatosjes së Hezbollahut brenda afatit të përcaktuar. Ai deklaroi se një hap i tillë mund të çojë në reduktimin e pranisë ushtarake të Izraelit në jug të Libanit dhe në masa reciproke që do të ndihmonin stabilitetin rajonal.

Sipas Netanyahut, nëse qeveria libaneze ndërmerr veprimet e nevojshme për t’i hequr armët grupit të mbështetur nga Irani, Izraeli është i gatshëm të reagojë me hapa që do të përfshinin uljen graduale të trupave të tij. Ky kusht vjen në një moment kur marrëdhëniet mes dy vendeve janë të tensionuara pas konfliktit të fundit.

Që prej përfundimit të luftës 14-mujore mes Izraelit dhe Hezbollahut në nëntor, falë një armëpushimi të ndërmjetësuar nga SHBA-ja, grupi ka refuzuar të diskutojë çarmatimin. Udhëheqësit e tij e kushtëzojnë këtë me tërheqjen e Izraelit nga pesë kodrat strategjike në territorin libanez dhe ndalimin e sulmeve ajrore që kanë shkaktuar dhjetëra viktima, kryesisht luftëtarë të Hezbollahut.

Bejruti ndodhet nën presion të fortë nga Uashingtoni për të çarmatosur grupin, i cili doli dukshëm i dobësuar nga konflikti. Shumë prej figurave kryesore politike dhe ushtarake të tij janë eliminuar gjatë luftimeve. Megjithatë, Hezbollahu e ka quajtur vendimin e qeverisë një veprim që i shërben interesave izraelite dhe ka paralajmëruar se nuk do të heqë dorë nga armët.

Izraeli e akuzon grupin se po rindërton kapacitetet ushtarake, ndërsa ushtria izraelite argumenton se kodrat e mbajtura në Liban kanë rëndësi strategjike për vëzhgim dhe siguri, pasi ndodhen pranë komuniteteve izraelite në veri, nga të cilat janë zhvendosur rreth 60 mijë banorë.

Pas marrëveshjes së armëpushimit, Hezbollahu ka larguar shumicën e luftëtarëve dhe armëve nga kufiri. Por interpretimi i marrëveshjes mbetet i diskutueshëm: Izraeli dhe SHBA-të kërkojnë çarmatimin e plotë të grupit në gjithë Libanin, ndërsa Hezbollahu thotë se marrëveshja vlen vetëm për zonën në jug të lumit Litan.

Konflikti i fundit shpërtheu pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023, duke shkaktuar mbi 4.000 viktima dhe dëme të vlerësuara në 11 miliardë dollarë.

Ndaj Postimin: