Netanyahu sinjalizon fundin e afërt të krizës së pengjeve në Gaza

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu shprehu bindjen se lirimi i pengjeve nga Gaza mund të ndodhë brenda ditëve të ardhshme, ndërsa negociatat me ndërmjetësim egjiptian pritet të hyjnë në fazën përfundimtare.

Netanyahu deklaroi se Izraeli ka dërguar një delegacion në Kajro për të finalizuar detajet teknike të marrëveshjes me Hamasin, duke shtuar se objektivi kryesor është përmbyllja e bisedimeve brenda pak ditësh. “Ne po punojmë ditë e natë për të sjellë pengjet në shtëpi,” theksoi ai, duke e cilësuar këtë proces si “moment historik të dhimbshëm, por të domosdoshëm.”

Sipas kryeministrit, Tel Avivi ka pranuar disa pika të planit amerikan për zgjidhjen e krizës, ndërsa presioni i kombinuar ushtarak dhe diplomatik ndaj Hamasit ka ndikuar në zbutjen e qëndrimeve të grupit. Netanyahu u shpreh se strategjia e tij po jep rezultatet e para, duke hapur rrugën për një marrëveshje të mundshme.

“Shumë menduan se lirimi i pengjeve ishte i pamundur pa tërheqje nga Gaza. Por ju siguroj, kjo është reale dhe me ndihmën e Zotit do të ndodhë shumë shpejt,” u shpreh Netanyahu në një fjalim televiziv, duke lënë të kuptohet se marrëveshja është më afër se kurrë.

Negociatat, që do të zhvillohen në mënyrë indirekte në Egjipt, pritet të zgjasin vetëm disa ditë. Netanyahu sqaroi se Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli janë të përkushtuar të mos lejojnë që procesi të zvarritet. “Pas kësaj faze, Hamasi do të zhduket – qoftë ushtarakisht, qoftë politikisht,” deklaroi ai me tone të forta.

Kryeministri shpreson që lajmi për lirimin e pengjeve të përkojë me festën hebraike të Sukkot, që zhvillohet nga 6 deri më 12 tetor. Ai theksoi se ushtria izraelite do të qëndrojë në thellësi të Rripit të Gazës për të siguruar stabilitetin dhe për të mbrojtur territoret që tashmë kontrollon.

Deklarata e tij vjen në një moment kur në terren po zhvillohen luftime intensive, me dhjetëra viktima të raportuara çdo ditë. Ndërsa komuniteti ndërkombëtar kërkon armëpushim, Netanyahu këmbëngul se vetëm përfundimi i plotë i kërcënimit të Hamasit do të sjellë paqe të qëndrueshme për rajonin.

Ndaj Postimin: