Kryeministri izraelit do të qëndrojë në shtëpi për tri ditë pas helmimit dhe do të vazhdojë detyrat shtetërore nga distanca
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, nuk ishte i pranishëm në mbledhjen e zakonshme të kabinetit për shkak të një helmimi nga ushqimi. Zyra e tij njoftoi se për tre ditët e ardhshme ai do të punojë nga shtëpia, në përputhje me rekomandimin e mjekëve.
Sipas burimeve zyrtare, Netanyahu, 75 vjeç, u ndje keq gjatë natës në rezidencën e tij dhe iu nënshtrua menjëherë një ekzaminimi mjekësor. Analizat e para treguan se gjendja e tij ishte e qëndrueshme, megjithatë mjekët vendosën që ai të trajtohej me lëngje intravenoze për shkak të dehidratimit.
Zyra e tij konfirmoi se pavarësisht gjendjes, kryeministri do të vazhdojë të drejtojë punët qeveritare nga distanca, duke shmangur kontaktet fizike dhe mbledhjet institucionale për shkak të rekomandimeve shëndetësore. Ai do të jetë aktiv në komunikim virtual me kabinetin dhe zyrtarët përkatës.
Media izraelite e cilësoi mungesën e tij në mbledhjen e kabinetit si një lajm të pazakontë, duke shtuar se kjo është hera e parë që Netanyahu mungon për shkak të një problemi akut shëndetësor që ndodh papritur.
Në të kaluarën, Netanyahu ka pasur episode të njohura mjekësore. Ai mban një stimulues kardiak që nga viti 2003, ndërsa dhjetorin e kaluar iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale për heqjen e prostatës pas një infeksioni në traktin urinar. Gjithashtu, ai ka pasur ndërhyrje edhe për hernie abdominale.
Zhvillimi i fundit ngre shqetësime për shëndetin e tij dhe gatishmërinë e qeverisë në rast të një përkeqësimi të mëtejshëm të gjendjes së tij. Megjithatë, deri tani nuk ka sinjale për ndonjë krizë institucionale dhe komunikimet e zyrës së kryeministrit synojnë të qetësojnë publikun dhe partnerët ndërkombëtarë.
Për momentin, të gjitha takimet dhe aktivitetet publike të Netanyahu janë anuluar, ndërsa ai do të vazhdojë të marrë trajtim në kushte të kontrolluara në rezidencën e tij. Situata do të vlerësohet ditë pas dite nga stafi mjekësor dhe kabineti qeveritar.