Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, deklaron se sulmet ndaj Iranit ishin të domosdoshme për të penguar krijimin e një bombe bërthamore, duke theksuar se informacionet e siguruara tregonin rrezik të afërt për një holokaust të dytë ndaj popullit hebre.
Benjamin Netanyahu ka zbuluar në një intervistë për Fox News se vendimi për të nisur sulmet ajrore ndaj Iranit u mor si përgjigje ndaj kërcënimit të krijimit të një arme bërthamore nga regjimi iranian. Ai theksoi se Izraeli kishte në dorë të dhëna të qarta që tregonin për një avancim të shpejtë të programit bërthamor iranian dhe se qeveria izraelite nuk mund të lejonte përsëritjen e një holokausti, këtë herë në përmasa bërthamore.
Sipas Netanyahut, të dhënat e siguruara dhe të ndara edhe me Shtetet e Bashkuara dëshmonin se Irani po punonte intensivisht për pasurimin e uraniumit dhe armatosjen e tij. Ai tha se qeveria izraelite veproi në momentin vendimtar, për të mbrojtur jo vetëm veten, por edhe sigurinë globale.
Netanyahu sqaroi se informacionet tregonin se regjimi iranian ishte vetëm pak muaj larg ndërtimit të një pajisjeje testimi dhe një arme të parë bërthamore, ndërsa në rastin më të mirë, kjo do të ndodhte brenda një viti. “Nuk mund të pranojmë një holokaust të dytë, Izraeli nuk do të lejojë përsëritjen e tragjedisë ndaj popullit hebre”, u shpreh ai me vendosmëri.
Gjatë intervistës, kryeministri izraelit theksoi se Izraeli ka vëzhguar praninë e mjaftueshme të uraniumit për të ndërtuar deri në nëntë bomba bërthamore në Iran. “Gjithçka që u duhej ishte ta armatosnin, ne ndërhymë për të ndaluar këtë proces”, theksoi Netanyahu.
I pyetur për objektivin afatgjatë ndaj regjimit iranian, Netanyahu la të kuptohet se ndryshimi i regjimit mund të jetë një rezultat i mundshëm, duke theksuar se ai e konsideron të dobët aktualisht qeverinë iraniane.
Sipas tij, pjesa më e madhe e popullit iranian do ta përkrahte largimin e regjimit aktual, të cilin ai e cilësoi si shtypës ndaj grave dhe studentëve dhe si pengesë për aspiratat e popullit të guximshëm iranian.
Në përfundim, Netanyahu theksoi se zgjidhjen dhe të ardhmen e Iranit do ta vendosin vetë qytetarët iranianë, duke lënë të hapur mundësinë për ndryshime të mëdha në rajon.