Kryeministri Edi Rama kujtoi figurën e Nënë Terezës, duke e cilësuar si një grua të shenjtë me shpirt të pafund dhe mesazh frymëzues për botën.
Sot shënohen nëntë vjet nga dita kur Nënë Tereza u shpall shenjtore nga Kisha Katolike. Kryeministri Edi Rama, përmes një postimi në rrjetet sociale, ndau një fotografi të shenjtores shqiptare, duke shprehur respekt dhe mirënjohje për jetën dhe veprën e saj.
“Mirëmëngjes dhe me këtë foto të Shën Terezës, gruas së shenjtë me trup të vogël e me shpirtin sa vetë bota, ju uroj në këtë ditë të shenjtërimit të saj mbarësi e shëndet të mirë”, shkroi Rama, duke përcjellë një mesazh që i bashkon shqiptarët kudo.
Nënë Tereza, e lindur si Agnes Gonxhe Bojaxhiu në Shkup më 1910, u largua drejt Indisë në vitin 1928. Në vitin 1948 ajo mori shtetësinë indiane dhe dy vite më vonë themeloi urdhrin e “Misionarëve të Bamirësisë” në Kalkuta, duke u bërë një simbol i shërbimit ndaj më të varfërve.
Për më shumë se katër dekada, ajo i kushtoi jetën ndihmës për të varfrit, të sëmurët, jetimët dhe të braktisurit, duke zgjeruar veprimtarinë e Misionarëve të Bamirësisë fillimisht në Indi e më pas në mbarë botën. Qendrat e saj u kthyen në strehë për ata që nuk kishin asgjë.
Nënë Tereza ndërroi jetë më 5 shtator 1997, në moshën 87-vjeçare. Vepra e saj vazhdon të frymëzojë miliona njerëz, pavarësisht përfundimit fizik të jetës së saj.
Ajo u lumturua në tetor të vitit 2003 nga Papa Gjon Pali II, pas njohjes së mrekullisë së parë të saj. Një grua 30-vjeçare në Kalkuta u shërua nga një tumor në stomak pas lutjeve të bëra në emrin e Nënë Terezës, dhe Vatikani nuk gjeti shpjegim shkencor për këtë rast.
Shenjtërimi i saj më 4 shtator 2016 nga Papa Françesku shënoi kulmin e njohjes botërore të jetës së saj të përkushtuar, duke e vendosur përjetësisht mes figurave më të ndritura të njerëzimit.