Në Pallatin e Brigadave në Tiranë po zhvillohet sot samiti “Growth Plan – Our Pathway to the EU” (Plani i Rritjes, rruga jonë në BE), që mbledh liderët e vendeve të rajonit për të diskutuar mbi planin e rritjes, integrimin ekonomik dhe hapat e transformimit drejt Tregut të Përbashkët Europian.
Në samit merr pjesë edhe Komisionerja e Zgjerimit të Bashkimit Europian, Marta Kos, e cila mbërriti një ditë më parë në Tiranë dhe zhvilloi një darkë pune me kryeministrin Edi Rama. Ky i fundit, përmes një postimi në rrjete sociale, e përshkroi ditën e sotme si një “ditë mikpritjeje” për rajonin dhe për Bashkimin Europian.
“Mirëmëngjes dhe me një tjetër ditë mikpritjeje, si samiti i Growth Plan ‘Our Pathway to the EU’, tryeza mes liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe Komisioneres për Zgjerimin e Bashkimit Europian, Marta Kos, ju uroj një ditë të mbarë!”, shkroi Rama.
Sipas axhendës, pritja zyrtare e liderëve u zhvillua në orën 09:30, ndërsa samiti nisi punimet në orën 10:00 me fjalët hapëse të kryeministrit Rama dhe komisioneres Kos. Rreth orës 11:35 do të mbahet konferenca e përbashkët për shtyp.
Punimet e samitit janë ndarë në dy panele kryesore:
- “Formimi i nismave të reja, me përfitime për qytetarët dhe biznesin”
- “Përmbushja e angazhimeve të përbashkëta – Rezultatet dhe përshpejtimi”.
Gjatë diskutimeve, pritet të prezantohet Udhërrëfyesi për Ballkanin Perëndimor, si dhe të trajtohen tema që lidhen me pozicionimin e rajonit në ekosistemin e inteligjencës artificiale të BE-së, zhvillimin e korridoreve të gjelbra, rritjen e bashkëpunimit në turizëm dhe progresin drejt tregut të përbashkët rajonal.
Samiti zhvillohet në një moment të rëndësishëm për Shqipërinë, pasi pak ditë më parë vendi hapi grupkapitullin e fundit të negociatave me Bashkimin Europian. Qeveria shqiptare ka shpallur si synim anëtarësimin në BE deri në vitin 2030, një objektiv që konsiderohet i arritshëm duke parë ritmin aktual të procesit të integrimit.


