Një grackë e ftohtë e përgatitur me kujdes dhe një tradhti që përfundoi në gjak.
Policia e Shkodrës njoftoi sot zbulimin e autorit të dyshuar të ekzekutimit me armë zjarri të 33-vjeçarit Ramazan Mataj, një ngjarje që ka tronditur fshatin Dragoç më 5 janar 2025. Në një konferencë për shtyp, drejtori i Policisë Vendore të Shkodrës, Fatmir Lleshaj, shoqëruar nga zyrtarë të lartë të hetimit dhe prokurorisë, ndau detaje të operacionit të koduar “Profili i rremë”, që çoi në arrestimin e Arjon Hasaj, 29 vjeç, autorit të dyshuar.
Sipas hetimeve, Ramazan Mataj u josh në një takim të rremë përmes rrjeteve sociale. Arjon Hasaj përdori llogari të falsifikuara për ta nxjerrë viktimën në një rrugë të largët të Dragoçit, ku më pas e vrau me gjakftohtësi. Motivi? Zbulohet një përplasje personale: Mataj dyshohet se ka ndikuar në prishjen e martesës së motrës së Hasajt.
Mekanizmi i krimit është dokumentuar nga policia përmes pamjeve filmike që tregojnë autorin duke lëvizur në zonën ku ndodhi vrasja. Ndihmën për fshehjen e gjurmëve të këtij akti makabër e siguroi vëllai i tij, Klisman Hasaj, i cili e ndihmoi në fshehjen e armës së krimit. Arma, fillimisht e fshehur në një zonë të pyllëzuar, më pas u gropos në oborrin e shtëpisë së autorëve. Ajo u sekuestrua gjatë kontrollit policor, duke përbërë një provë kyçe në zbardhjen e kësaj ngjarjeje tragjike.
Të dy vëllezërit tashmë ndodhen pas hekurave. Arjon Hasaj akuzohet për “Vrasje me paramendim” dhe “Mbajtje pa leje të armëve luftarake”, ndërsa Klisman Hasaj për sigurimin e mjeteve për kryerjen e vrasjes. Hetimet do të vazhdojnë për të dokumentuar plotësisht çdo aspekt ligjor të kësaj çështjeje.
Drejtuesit e policisë e cilësuan këtë sukses hetimor një rezultat të bashkëpunimit të ngushtë me Prokurorinë dhe mbështetjen e qytetarëve. Dhjetëra mesazhe dhe telefonata kontribuuan në identifikimin e autorëve, duke treguar solidaritetin dhe besimin e komunitetit ndaj forcave të rendit.
“Jemi të përkushtuar për sigurinë e qytetarëve dhe parandalimin e ngjarjeve kriminale,” deklaroi drejtori Lleshaj, duke shtuar një apel për më shumë bashkëpunim mes komunitetit dhe policisë për një të ardhme më të sigurt në Shkodër.