Në kërkim për trafik droge në Gjermani, Prokuroria sekuestron pasuritë e Shkëlzen Kastratit dhe babait të tij

Prokuroria e Tiranës ka sekuestruar pasuritë e shtetasit Shkëlzen Kastrati, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Gjermania për veprën penale “Trafikim i narkotikëve”, si dhe të babait të tij, I.K.

Sipas njoftimit zyrtar, masa është ndërmarrë pas një hetimi pasuror të regjistruar më 18 shkurt 2026, në bashkëpunim me Seksionin e Krimit Ekonomik në Drejtorinë e Policisë Tiranë. Nga analiza financiare ka rezultuar se shtetasi në kërkim dhe personi i lidhur me të nuk justifikojnë me të ardhura të ligjshme pasuritë e regjistruara në emër të tyre.

Me kërkesë të Prokurorisë, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë vendosi sekuestrimin e disa pasurive të paluajtshme, pasi dyshohet se janë përfituar si rezultat i përfshirjes në veprimtari të paligjshme.

Ndër pasuritë e sekuestruara përfshihen:

– Një njësi me sipërfaqe 191 metra katrorë në zonën e Plazhit, Durrës, e përfituar nga I.K.;
– Dy apartamente tip 1+1 në seksionin nr.3, me sipërfaqe totale 65.13 m² secili, në kate të ndryshme të së njëjtës godinë;
– Një garazh me nr.28;
– Një apartament në rrugën “Don Bosko” në Tiranë, me sipërfaqe ndërtimi 104.8 m² dhe 10.5 m² ambiente të përbashkëta.

Prokuroria bën me dije se hetimet vijojnë për verifikimin e burimit të pasurive dhe dokumentimin e plotë të rastit.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033