Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi ambasadorin e Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato, se po paraqet qëndrime të shtrembëruara për opozitën shqiptare në Bruksel.
Duke folur gjatë mbledhjes së Kryesisë së PD-së, Berisha deklaroi se diplomati europian, sipas tij, sillet në institucionet e BE-së “sikur të ishte ambasadori i Edi Ramës”.
“Çfarëdo që të bëjmë ne, ambasadori i BE-së në Tiranë në Bruksel sillet në mënyrë absolute sikur të jetë ambasadori i Ramës në Bruksel. Unë duke shprehur keqardhjen time më të thellë, iu bëj thirrje vendeve anëtare të informohen direkt nga përfaqësitë e tyre, parlamentet e vendeve anëtare të dërgojnë misione faktmbledhëse. Të shpallësh AKSHI-n problem kulturor në Bruksel, siç ka bërë zoti Gonzato, ky është shërbimi më i keq që iu bën shqiptarëve dhe unë i them atij zotërie se pengmarrja nuk është kulturë e shqiptarëve”, deklaroi Berisha.
Sipas tij, pretendimi se çështje të tilla lidhen me kulturën shqiptare përbën, siç u shpreh ai, një fyerje për shqiptarët.
“Është një fyerje e rëndë që iu bëhet shqiptarëve. Ky vend, edhe kur s’ka pasur shtet, ka pasur një ligj për kontratat civile dhe kontratat e tjera që është respektuar pa pengmarrje. AKSHI nuk është problem kulturor i shqiptarëve”, tha Berisha.
Kreu i opozitës shtoi se Partia Demokratike ka qenë gjithmonë e angazhuar për procesin e integrimit europian.
“Dua t’i them se forca jonë politike ka firmosur të gjitha marrëveshjet në procesin e integrimit, ka marrë rekomandimin për statusin e kandidatit dhe përveç hapjes së negociatave çdo marrëveshje tjetër. Është një forcë politike që ka shpallur si interes madhor integrimin në BE dhe ka qenë e sinqertë me partnerët”, u shpreh ai.
Berisha kritikoi gjithashtu ambasadorin Gonzato edhe për deklaratat që, sipas tij, e paraqesin Partinë Demokratike si një forcë politike me axhendë MAGA.
“Gënjeshtra e tij e madhe e dytë është se axhenda jonë është MAGA. Nëse do të ishte e tillë, nuk do ta kishim fshehur. Axhenda jonë është integrimi i Shqipërisë në BE. Kjo histori e turpshme mashtrimi filloi me një trillim të padëgjuar se Donald Trump, kur erdhi La Civita, paska ardhur me një çek 9 miliard dollarë për të bllokuar integrimin në BE. Unë jam skandalizuar kur kam dëgjuar këto”, deklaroi Berisha.