Në një ditë të rëndësishme për komunitetin, në Divjakë u përurua zyrtarisht Qendra e re Komunitare, e cila do t’i shërbejë qytetarëve të të gjitha moshave, me fokus të veçantë për fëmijët me aftësi të kufizuara, të moshuarit dhe grupet në nevojë.
Kjo qendër moderne është ngritur në kuadër të fazës së dytë të Programit të Përbashkët të Kombeve të Bashkuara “Askush Të Mos Mbetet Pas” (LNOB). Projekti financohet nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe zbatohet nga UNDP, UNFPA, UNICEF dhe UN Women, në bashkëpunim të ngushtë me Qeverinë Shqiptare dhe Bashkinë Divjakë.
Në ceremoninë e përurimit morën pjesë personalitete të rëndësishme si: Kryetari i Bashkisë Josif Gorrea, Ambasadorja e Zvicrës në Shqipëri znj. Ruth Huber, Zëvendësministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale znj. Ina Majko, si dhe përfaqësuesja e UNDP-së në Shqipëri, znj. Randi Davis.
Pas zbulimit të pllakës përkujtimore, të ftuarit vizituan ambientet e qendrës me kushte bashkëkohore dhe morën pjesë në një takim prezantues, ku u shfaq një video-informuese për Divjakën dhe u dëgjuan fjalët përshëndetëse të drejtuesve e partnerëve të projektit.
Një investim me vlera të mëdha për përfshirjen sociale dhe kujdesin për çdo qytetar.
Gazetari Ndricim Gjoshi !


