Luhatjet e temperaturave po rrisin pasigurinë në sektorin e blegtorisë, duke sjellë ulje prodhimi, sëmundshmëri dhe kosto të larta për blegtorët në Fier, Vlorë dhe Gjirokastër.
Drejtoria e profilizuar AREB në Lushnje ka vlerësuar me shqetësim ndikimin e temperaturave ekstreme mbi sektorin e blegtorisë. Specialistët e kësaj drejtorie pohojnë se verat e nxehta dhe ndryshimet e menjëhershme të motit kanë krijuar pasoja të rënda për kafshët dhe prodhimin.
Sipas specialistit zooteknik Ëngjëll Pole, vera e këtij viti ka qenë veçanërisht e ashpër. Temperaturat ekstreme kanë shkaktuar lodhje të kafshëve, ulje të ndjeshme të prodhimit të qumështit dhe vështirësi të mëdha në sigurimin e ushqimit cilësor, për shkak të mungesës së reshjeve, raporton gazetari Ndriçim Gjoshi,
Lopët dhe delet janë prekur më së shumti. Në mungesë të strehimit të përshtatshëm dhe menaxhimit të mirë të ushqyerjes, shumë prej tyre kanë treguar shenja të stresit dhe dobësisë, duke e bërë sektorin më të brishtë përballë sfidave klimatike.
Por vështirësitë nuk kanë përfunduar me përfundimin e verës. Rënia e papritur e temperaturave në fillim të tetorit ka shkaktuar një stres të ri tek kafshët, pasi organizmi i tyre nuk përshtatet menjëherë me ndryshimet e forta klimatike.
Polé nënvizon se këto luhatje ndikojnë drejtpërdrejt në metabolizmin e kafshëve, duke ulur rezistencën e tyre dhe duke i bërë më të ndjeshme ndaj sëmundjeve. Kjo gjendje rrezikon jo vetëm shëndetin e tufave, por edhe të ardhurat e blegtorëve.
Në këtë situatë, ekspertët rekomandojnë disa masa parandaluese të domosdoshme. Mes tyre përfshihet ruajtja e kushteve higjieno-sanitare në stalla, kujdes i shtuar ndaj ushqyerjes me lëndë të pasura energjetike dhe izolimi termik i mjediseve ku mbahen kafshët.
Drejtoria këshillon blegtorët të tregohen të kujdesshëm në këtë periudhë tranzicioni, kur moti bëhet gjithnjë e më i paparashikueshëm. Përgatitja dhe menaxhimi i mirë janë çelësi për të shmangur humbje më të mëdha.
Në fund, Polé thekson se sfidat klimatike janë realitet i përditshëm për blegtorët e qarqeve Fier, Vlorë dhe Gjirokastër, ndaj ndërgjegjësimi dhe zbatimi i praktikave të duhura mbeten vendimtarë për mbrojtjen e sektorit.