Detyrimet për taksën e ndërtesës do të rriten ndjeshëm në qytetet bregdetare dhe zonat urbane, ndërsa disa rrethe mbeten me taksa më të ulëta
Pavarësisht rritjes së çmimeve të referencës për apartamentet në të gjithë vendin, disa bashki do të përballen me rritje më të lehta të taksës së ndërtesës, ndërsa qytetet turistike dhe zonat urbane si Durrësi, Vlora, Saranda apo Korça do të shohin një rritje më të madhe të detyrimeve. Në total, ndryshimet prekin 119 zona kadastrale në 12 qarqet e Shqipërisë dhe do të hyjnë në fuqi nga 1 janari 2026.
Sipas metodologjisë së re të propozuar nga Ministria e Financave, taksa për ndërtesat llogaritet si 0.05% e vlerës së apartamentit, të përcaktuar nga çmimet e referencës. Bashkitë kanë të drejtën të ndryshojnë këtë normë deri në ±30% me vendim të Këshillit Bashkiak. Ndryshimet më të ndjeshme do të ndihen në zonat turistike, ku çmimet e referencës janë shumëfishuar.
Në Durrës, një apartament 90 m² me çmim reference 67,500 lekë/m² aktualisht ka një taksë prej 3,038 lekë në vit. Me ndarjen e re të qytetit në 13 zona kadastrale dhe çmimin maksimal 200,000 lekë/m² në zonën e Portit, taksa vjetore do të shkojë në 9,000 lekë, një rritje prej 196%. Në Vlorë, zona e Lungomares do të përfshihet në një taksë prej 4,410 lekë në vit, nga 2,781 lekë aktualisht, për të njëjtën sipërfaqe.
Saranda përballet gjithashtu me një rritje prej 79%, me çmimin e referencës që shkon nga 56,000 në 100,000 lekë/m² në zonat pranë bregdetit. Ndërsa në Elbasan, rritja do të jetë më e moderuar, me taksën që lëviz nga 2,264 deri në 2,700 lekë, varësisht nga zona. Pogradeci do të ketë një rritje prej 20% në zonat më qendrore si 1 Maji apo stadiumi.
Përkundër rritjeve të ndjeshme në zonat turistike, qytetet më të vogla si Fushë-Arrëzi dhe Kukësi do të vazhdojnë të paguajnë taksë minimale. Në Fushë-Arrëz, një banesë 90 m² do të ketë një rritje nga 338 në 473 lekë në vit, ndërsa në Kukës, taksa do të ngjitet nga 2,430 në 2,610 lekë.
Tirana e aplikoi këtë sistem që në gusht 2023 dhe për 32 zonat e saj kadastrale u shënua një rritje deri në 76%. Të njëjtat mekanizma do të përdoren edhe për rrethet duke nisur nga janari 2026. Taksa paguhet kryesisht nëpërmjet faturës së ujit të pijshëm.
Për apartamentet e privatizuara para viteve ’90, por që nuk kanë kaluar në transaksione shit-blerjeje, taksa llogaritet mbi 70% të vlerës së apartamentit. Ndërkohë, për herë të parë përfshihet edhe ishulli i Sazanit në hartën e zonave kadastrale, pas projekteve për ndërtim rezidencial nga kompania Affonity Partners e Jared Kushner.