Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, ka prezantuar në Komisionin e Ligjeve një paketë të gjerë ndryshimesh në Kodin Penal, e cila synon ashpërsimin e ndëshkimeve për një sërë veprash penale që lidhen me abuzimet seksuale, shfrytëzimin e qenieve njerëzore, ndërtimet pa leje dhe shkeljet në hapësirat urbane.
Sipas ministrit, ndërhyrjet ligjore parashikojnë dënime më të rënda për krimet me natyrë seksuale ndaj fëmijëve, duke forcuar mbrojtjen penale të të miturve. Njëkohësisht, trafikimi i qenieve njerëzore dhe shfrytëzimi i individëve do të trajtohen me zero tolerancë, duke përjashtuar çdo justifikim të bazuar në pëlqimin e viktimës.
Paketë e re ndryshimesh prek edhe fenomenet e zaptimit të paligjshëm të tokës dhe ndërtimet pa leje, veçanërisht në zonat e mbrojtura, ku parashikohen masa ndëshkuese më të ashpra. Dënimet do të rëndohen më tej në rastet kur shkeljet kryhen nga nëpunës publikë ose kur zjarrvënia përdoret si mjet për tjetërsimin e pronës.
Një risi tjetër lidhet me trajtimin penal të shkeljeve urbane, ku parkimi i dyfishtë, sidomos kur pengon mjetet e emergjencës, do të sanksionohet më rëndë. Ndryshimet synojnë të rrisin disiplinën në hapësirat publike dhe të garantojnë funksionimin normal të shërbimeve jetike.
Në fokus të paketës janë edhe garancitë për lirinë e medias. Sipas propozimeve, gazetarët do të përjashtohen nga përgjegjësia penale për shpifje kur raportimi bëhet në mirëbesim, ndërsa do të forcohen dënimet për këdo që cenon sigurinë e tyre.
Ministri Lamallari theksoi se ndryshimet në Kodin Penal janë pjesë e procesit të përditësimit të legjislacionit shqiptar dhe të përafrimit me standardet e Bashkimit Evropian, në kuadër të negociatave për anëtarësim. Paketa pritet të vijojë procedurat parlamentare dhe të shqyrtohet për miratim në seancat e ardhshme.