Dhjetëra anije të paidentifikuara iu afruan Flotillës pranë Gazës, ndërsa në mbështetje të saj u raportua ngritja në fluturim e avionëve ushtarakë nga Qipro.
Misioni “Flotilla” është vetëm 75 milje larg brigjeve të Gazës, por udhëtimi i tij është kthyer në një përballje të tensionuar. Aktivistët në bord raportojnë se përballë tyre, në një distancë prej vetëm katër miljesh, ndodhen dhjetëra anije që mendohet të jenë izraelite. Përmes kanaleve të Global Movement to Gaza, ata thanë se asnjëra prej tyre nuk është identifikuar zyrtarisht deri më tani.
Situata është cilësuar si “alarm maksimal”, pasi flotilja pritet të përballet me interceptim brenda një ore. Burime ndërkombëtare të Reuters konfirmojnë se mjetet detare izraelite janë duke u afruar shpejt dhe rreziku i një përplasjeje mbetet i lartë.
Ndërkohë, parlamentari italian Arturo Scotto, që ndodhet në një nga anijet e Global Sumud Flotilla, dha një deklaratë për agjencinë AGI. Ai njoftoi se nga Qipro janë ngritur në fluturim avionë ushtarakë, të cilët sipas tij janë britanikë dhe janë duke u drejtuar drejt pozicionit ku ndodhet Flotilla.
Këto lëvizje shtojnë frikën se situata mund të marrë përmasa të rrezikshme, duke përfshirë aktorë të ndryshëm ndërkombëtarë në një zonë tashmë të mbingarkuar me tensione. Aktivistët paralajmërojnë se ndërhyrja e mundshme ushtarake nuk është vetëm një akt kundër tyre, por edhe një mesazh i fortë ndaj çdo përpjekjeje për të thyer bllokadën e Gazës.
Për momentin, Flotilla po vazhdon rrugëtimin, megjithëse nën një presion të madh dhe në rrethana që ndryshojnë nga minuti në minutë. Të gjitha vështrimet janë të drejtuara mbi këtë mision, i cili ka sjellë në qendër të vëmendjes ndërkombëtare një çështje të pazgjidhur prej dekadash.