Ndërtimi i parkut fotovoltaik në toka të kontestuara

Qeveria autorizoi një kompani për të ndërtuar parkun fotovoltaik, por 14 familje të Levanit protestojnë, duke pretenduar se toka e tyre po tjetërsohet padrejtësisht në emër të kompanisë ndërtuese.

Rreth 50 hektarë tokë bujqësore, të kultivuara prej vitesh me grurë dhe kultura të tjera, kanë nisur të mbulohen me çakull dhe gurë në fshatin Boçovë të Njësisë Administrative Levan, në Fier. Makineritë e rënda kanë sheshuar sipërfaqe të tëra, duke përgatitur terrenin për ndërtimin e një parku fotovoltaik, ndërsa banorët pretendojnë se punimet po kryhen mbi tokën që ata e gëzojnë ligjërisht prej më shumë se tre dekadash.

Në qershor të vitit 2025, Qeveria Shqiptare miratoi projektin e kompanisë “Albania Solar Power” sh.p.k. për ndërtimin e një parku fotovoltaik me afat shfrytëzimi 49-vjeçar. Vendimi u dha për zonën kadastrale 2436 në territorin e Levanit, një zonë ku 14 familje pretendojnë se toka e tyre po tjetërsohet padrejtësisht dhe kërkojnë drejtësi.

Sipërfaqe të tëra, dikur të mbjella me grurë dhe kultura të tjera, sot janë të mbuluara me çakull dhe gurë, ndërsa makineri të rënda sheshojnë terrenin për ndërtimin e një parku fotovoltaik.

Punimet nisën pak muaj pas një vendimi qeveritar, por për banorët lokalë ato përfaqësojnë jo zhvillim, por humbjen përfundimtare të pasurisë së vetme që kanë pasur ndonjëherë: tokën.

Toka që u zhduk nën çakull

Në qershor të vitit 2025, Qeveria Shqiptare miratoi projektin e kompanisë “Albania Solar Power” për ndërtimin e një parku fotovoltaik në fshatin Boçovë, të Levanit, në qytetin e Fierit, me një afat 49-vjeçar.

Por, ndërsa makineritë e rënda kanë nisur punë, banorët e fshatit kanë muaj që protestojnë ndaj punimeve që po kryhen. Ata pretendojnë se parku po ndërtohet në pronën që ata e gëzojnë prej vitesh.

Familjet janë pasardhës të personave të internuar gjatë regjimit komunist, të cilët u vendosën në Fier në fillim të viteve ’90 dhe u kompensuan me tokë bujqësore.

Banorët jetojnë në Levan prej mbi 30 vitesh dhe toka ka qenë burimi i vetëm i të ardhurave për familjet e tyre. Ata e kanë kultivuar çdo vit, kanë ushqyer bagëti dhe, në disa raste, e kanë dhënë edhe me qira përmes kontratave noteriale.

Lavdosh Hoxha, 72 vjeç, një nga banorët e prekur nga konflikti, kujton me detaje procesin e ndarjes së tokës në vitin 1994.

“Ne kemi ardhur këtu në vitin ’94. Me një vendim të posaçëm të Këshillit të Ministrave, ata që kishin ardhur nga rrethet e tjera u kompensuan me tokë, sepse kishte sipërfaqe në dispozicion. U krijua komisioni i ndarjes së tokës dhe secili mori parcelën e vet,” – tregon Lavdosh Hoxha.

Banorët disponojnë një sërë dokumentacioni, duke nisur me Aktin e Marrjes së Tokës të vitit 1993–94, listat e përfituesve të tokës, Librin e Ngastrave dhe vërtetimet e Këshillit të Qarkut Fier, ku njihen si pronarë të ligjshëm.

Gjithashtu, ata janë taksapagues të rregullt prej dekadash dhe kanë shfrytëzuar tokën si burim të vetëm jetese.

“Nga ai vit, sipas mundësive personale, dikush e punon vetë, e mbjell me misër e grurë. Kishte nga ata që e dhanë tokën me qira, për t’u mbjellë, madje me akte të rregullta noteriale,” – thotë Lavdoshi.

Megjithatë, pavarësisht dokumentacionit dhe detyrimeve të kryera, asnjë prej familjeve nuk është pajisur me certifikatë pronësie.

Dokumentet tregojnë se kompania “Bervi Construction” regjistroi kontratën e shitblerjes së tokës më 3 prill 2024, vetëm një muaj pas miratimit të një leje qeveritare për ndërtimin e një parku fotovoltaik në tokat e banorëve të Levanit.

Një kompani pa bilance

Me vendimin nr. 309, Qeveria Shqiptare i dha “Albania Solar Power” lejen për ndërtimin e centralit fotovoltaik, me një afat 49-vjeçar.

Projekti ka një vlerë investimi prej rreth 80 milionë eurosh, në zonën kadastrale 2436 të Levanit.

Sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare të Biznesit (QKB), kompania është regjistruar me një kapital prej vetëm 1 milion lekësh dhe nuk ka asnjë bilanc financiar të publikuar. Subjekti zotërohet nga Engjëll Agalliu.

Banorët e Levanit tregojnë se, menjëherë pas vendimit të Kryeministrit Rama, makineritë e rënda të kompanisë ndërtuese u dukën në fshat.

Fillimisht punimet u prezantuan si ndërhyrje për ndërtimin e rrugëve dhe kanaleve vaditëse. Por pas disa javësh, kamionët me gurë dhe makineritë e rënda nisën të mbushin kanalet dhe të shkatërrojnë tokën bujqësore.

Sipas banorëve, punonjësit ngulnin piketa në rrugë dhe thanë se po punonin për ndërtimin e një rruge për komunitetin dhe ndërtimin e kanaleve vaditëse, dhe se nuk kishin asnjë lidhje me tokat e fermerëve.

Por, vetëm pas disa ditësh, punimet filluan intensivisht dhe kamionët me gurë u shfaqën duke shkatërruar kanalet vaditëse.

“Nga gushti e tutje filluan punimet, siç e shikoni kanë shtuar. Kanë mbushur kanalet vaditëse dhe tokën e Sandrit e kanë mbushur me gurë. Kanë filluar të bien materiale, të bëjnë magazina dhe thonë: nuk u njohim fare juve si pronarë, se neve na e ka dhënë shteti,” – thotë banori Lavdosh Hoxha.

Banorët dyshojnë se pas kësaj kompanie qëndron në fakt “Bervi Construction”, një kompani e lidhur me familjen Salillari.

Dyshimet përforcohen nga fakti se në terren punojnë mjete dhe punonjës me logon e Salillari-t.

Ndërkohë që banorët nuk u pajisën kurrë me certifikatë pronësie, pavarësisht dokumenteve dhe taksave të paguara, kompania “Bervi Construction” regjistroi kontratën e shitblerjes së tokës më 3 prill 2024, vetëm një muaj pasi e kishte nënshkruar atë, më 1 mars 2024.

Bëhet fjalë për pasurinë me numër 619, në zonën kadastrale 2436, një sipërfaqe që më herët rezultonte e ndarë mes Bashkisë Fier dhe 14 familjeve të Levanit. Sot, e gjithë sipërfaqja figuron në certifikatën e pronësisë në emër të “Bervi Construction”.

Paradoksi thellohet nga fakti se banorët kanë vijuar të paguajnë taksat edhe pas lëshimit të certifikatës për kompaninë, pa asnjë njoftim apo sqarim nga institucionet.

Agjencia Vendore e Kadastrës Fier nuk iu përgjigj pyetjeve mbi mbivendosjen e pronësisë dhe mosregjistrimin e pasurive të banorëve.

Bashkia Fier dha përgjigje të paqarta mbi situatën, ndërsa Enti Rregullator i Energjisë konfirmoi se “Bervi Construction” nuk ka aplikuar për licencë pranë ERE-së.

“Kompania ‘Bervi Construction’ nuk ka aplikuar për licencim pranë ERE,” – thuhet në përgjigjen që u mor nga Enti Rregullator i Energjisë.

Nga ballafaqimi i dokumenteve të banorëve me certifikatën e kompanisë, rezulton se toka është rikualifikuar nga “tokë bujqësore” në “tokë pa frut”.

Ky ndryshim administrativ i hapi rrugën ndërtimeve në tokën ku fermerët kanë kultivuar grurë e të mbjella dhe kanë ushqyer bagëtitë.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033